Qëndresa Qytetare ka realizuar së fundmi një anketë të shtrirë në 12 universitete në lidhje me fenomenin e korrupsionit.
Mateo Yskollari, ekspert nga Qëndresa Qytetare, tha për “Mcn Informacion” se 77 për qind e studentëve e pranojnë ekzistencën e korrupsionit si fenomen.
51 për qind e tyre mendojnë se korrupsioni në stafin akademik dhe administratën e universitetit është në të njëjtin nivel, çka sipas Yskollarit është një “sinjal alarmi”.
Ai shton se shifrat për provim variojnë nga 250 euro deri në 700 euro për provim.
"Jemi bazuar te dy raporte të mëdha vjetore nga DASH dhe BE, që e kanë pozicionuar institucionin e arsimit të lartë në Shqipëri në një zonë rreziku. Çuam në 12 universitete publike një anketë, për të pyetur studentët për çështjet e korrupsionit. 77 për qind e studentëve nga 12 universitete publike, e pranojnë ekzistencën e korrupsionit në auditorët e tyre. Sa i takon fakultetet dhe departamentet, 62 për qind mendojnë se këtu ekziston korrupsioni. Të pyetur si mendojnë se është korrupsioni në stafin akademik dhe administratën e universitetin, 51 për qind kanë perceptimin se niveli i korrupsionit si në stafin akademik dhe administratë së universitetit është në të njëjtin nivel. Ky është një sinjal alarmi për ne. Kemi të bëjmë me një lidhje nepotizmi, mes stafeve akademike dhe administratës. Cikli funksionon shumë lehtë, pasi një student mund të paguajë për një provim në sekretarinë mësimore. Studentë në masën 33 për qind thanë se janë të gatshëm të paguajnë një pedagog. Shifrat sipas anketave nisin nga 250 euro për provim deri në 700 euro. Forma më e përhapur e korrupsionit është përmes një personi të tretë, ku studentët s’duan të ekspozohen drejtpërdrejtë. 100 për qind e studentëve të Mjekësisë kanë pranuar që ekziston korrupsioni në universitetin e tyre. Në Universitetin e Mjekësisë ka edhe shifra më të mëdha për provim. Mund të kapin shifra deri 1000 euro që janë edhe më të frikshme. Universiteti i Mjekësisë, ndiqet nga Universiteti i Tiranës, vazhdojmë me universitetet e rretheve. Universiteti i Shkodrës del tani si një nga universitetet më të ndershme. Kjo ndoshta vjen edhe nga fakti që po braktiset nga studentët sot".



