Stuhia e fortë e cila përfshiu vendin shkaktoi problematika të shumta në Vlorë, Himarë dhe Sarandë.
Korrespondentja e MCN TV, Arjola Hasanaj raportoi për “MCN Live” se një person humbi jetën në Himarë dhe tre të tjerë mbetën të dëmtuar në Sarandë si pasojë e thyerjes së xhamave dhe goditjes nga objekte të ndryshme.
Stuhia shkaktoi problematika jo vetëm në Vlorë por në të gjithë qarkun. Në Vlorë, zonat më të prekura janë në Lungomare, ku prej intensitetit të erës së fortë, ambientet e pushimit dhe lokalet, karriget dhe tavolinat përfunduan në rrugë, duke rrezikuar si kalimtarët edhe automjetet.
Pasojat më të mëdha kanë qenë në Sarandë dhe Himarë, ku mungesa e energjisë elektrike, shkaktoi dhe vdekjen e elektriçistit të OSHEE, i cili ndodhej në një shtyllë 9 metra të lartë, për të rilidhur energjinë elektrike.
Duke rënë në kontakt me energjinë elektrike, elektriçisti ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë. Ai mbërriti i pajetë në spitalin e Sarandës.
Rënie të pemëve ka patur edhe në qytetin bregdetar të Sarandës, me pasojë tre persona të dëmtuar nga rënia e xhamave dhe objekteve të ndryshme.
Dëme të shumta ka patur në biznese nga thyerja e xhamave apo marrja nga era e karrigeve dhe tavolinave. Po ashtu dëmtime ka pasur dhe në makina.



