SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-anëtarin e Komisionit të Prokurimeve Publike, Kreshnik Tërnova, i cili akuzohet për favorizim në procedurat e tenderimit për Spitalin e Dibrës.
Çështja është ngritur nga prokurori i SPAK, Elvin Gogaj, ndërsa dyshimet lidhen me një konflikt të mundshëm interesi dhe njohje mes Tërnovës dhe biznesmenit Engjëll Hoxha, i cili gjithashtu është proceduar penalisht dhe dyshohet se ka përfituar nga tenderi.
Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar në një intervistë për MCN Live avokati Kujtim Cakrani, i cili deklaroi se çështja nuk duhet të trajtohet vetëm si një rast individual, por kërkon një hetim më të gjerë mbi mënyrën se si janë zhvilluar procedurat e prokurimeve publike. Cakrani u ndal fillimisht te mënyra se si, sipas tij, është administruar komunikimi i Tërnovës me prokurorinë.
Le ta fillojmë nga momenti kur zotëria në fjalë është thirrur nga prokurori. Ai është paraqitur si person që kishte dijeni për çështjen, por në fakt ka dhënë informacione të rreme përpara prokurorisë. Kjo përbën një vepër penale. Ai ka rënë në atë që unë e quaj kurth të prokurorisë, duke menduar se organi i hetimit nuk kishte informacion, ndërkohë që prokuroria ka pasur të dhëna dhe e ka provokuar për të parë se çfarë deklarimesh do të bënte.
Sipas tij, rasti i Tërnovës është pjesë e një problematike më të gjerë që lidhet me tenderat publikë dhe mënyrën se si mund të favorizohen subjekte të caktuara.
Kjo është në vazhdën e atyre rasteve kur, përmes shpërdorimit të detyrës, favorizohen persona juridikë të caktuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për një veprim të izoluar, por për situata ku mund të ketë organizim, planifikim dhe interesa të lidhura mes individëve që kanë kompetenca vendimmarrëse dhe atyre që përfitojnë nga tenderat.
Avokati ngriti pikëpyetje edhe mbi arsyet se përse persona të përfshirë në procese të tilla vijojnë të marrin vendime, pavarësisht hetimeve të nisura nga organet e drejtësisë.
Pyetja që shtrohet është: si ka mundësi që, edhe pas gjithë këtyre hetimeve, disa individë nuk kanë frikë? Kjo ndodh sepse ata mund të kenë krijuar bindjen se janë të mbrojtur nga lidhje të caktuara politike apo interesa të tjera. Nuk përjashtohet mundësia që persona të caktuar të jenë vendosur në institucione për të ushtruar ndikim dhe kontroll mbi proceset e tenderimit.
Cakrani theksoi se, sipas tij, përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te Kreshnik Tërnova, pasi vendimmarrja në Komisionin e Prokurimeve Publike është kolektive.
Kreshnik Tërnova nuk mund të trajtohet thjesht si një rast shpërdorimi detyre. Për mua duhet parë nëse kemi të bëjmë me veprime të koordinuara dhe struktura të qëndrueshme që krijojnë elementë të një grupi të organizuar. Nëse do ta quanim vetëm shpërdorim detyre, do të ishte sikur po e minimizonim përgjegjësinë.
Duke iu referuar anëtarëve të tjerë të komisionit, avokati tha se hetimi duhet të përfshijë të gjithë personat që kanë marrë pjesë në vendimmarrje.
Ata kanë votuar, kanë marrë pjesë në procedurë dhe kanë firmosur. Nuk është vetëm Tërnova. Të gjithë ata që kanë qenë pjesë e procesit duhet të japin shpjegime, sepse përgjegjësia lidhet me rolin që kanë pasur në atë vendimmarrje.
Në vijim, ai kërkoi një hetim më të thelluar mbi të gjitha procedurat e tenderimit dhe mënyrën e përdorimit të fondeve publike.
Këta individë nuk kanë marrë pjesë vetëm në një tender apo në një procedurë të vetme. Duhet një hetim i plotë për të parë të gjithë historikun. Kjo është një situatë alarmante, sepse krijohet përshtypja se disa persona dalin mbi ligjin.
Sipas Cakranit, hetimi duhet të shtrihet edhe te cilësia e punimeve dhe verifikimi i shpenzimeve.
Duhet të kontrollohen dokumentet, komunikimet, telefonatat hyrëse dhe dalëse, si dhe duhet të caktohen ekspertë për të vlerësuar punimet e kryera. Duhet parë sa është realizuar realisht, si është bërë dorëzimi dhe kush e ka marrë në administrim objektin.
Ai shtoi se një tjetër element i rëndësishëm është edhe hetimi pasuror ndaj personave të përfshirë.
Nëse një tender ka qenë, për shembull, 1 milion euro dhe kompania ka shpenzuar vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume, atëherë duhet parë se ku ka shkuar diferenca. Duhet analizuar ndryshimi i pasurisë së individëve të përfshirë, jo vetëm të Tërnovës, por edhe të personave të tjerë që kanë firmosur dhe kanë pasur rol në këtë proces.



