
Kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit, teksa ka numëruar njëra pas tjetrës arsyet e shkeljeve të Presidentit Ilir Meta, theksoi se ndër të tjera se ai ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës dhe se Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz atë.
"Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit. Ka poshtëruar Kushtetutën e republikës së Shqipërisë. Ka shembur institucionin e garantit të unitetit kombëtar. Ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve të demokracisë tonë parlamentare. Ka turpëruar Shqipërinë dhe popullin shqiptar me SHBA. Ka zhgarravitur marrëdhëniet e përfaqësisë demokratike shqiptare. I ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë bujarisht në mënyrë të përsëritur. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës. Prandaj, sot Kuvendi do shkarkojë Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotëm ka mbaruar punë me rolin që mori nga Parlamenti. Tani le të flasë Parlamenti me vota", tha Rama.
Ralf Gjoni: Koha të prodhojmë lajme pozitive për shqiptarët
Deputeti Ralf Gjoni teksa më herët ka deklaruar se ai do të abstenojë në votimin për shkarkimin e Presidentit Meta, në seancën e sotme përfitoi vetëm për t'i drejtuar një apel "të sinqertë" maxhorancës e kryeministrit Edi Rama. Ai tha se ka ardhur koha që Parlamenti të prodhojë lajme pozitive dhe të largohet nga gjuha e konfliktit politik, që nxit urrejtje.
"Dua të bëj një apel të sinqertë ndaj maxhorancës, të gjithë deputetëve dhe kryeministrit Rama. Të nderuar kolegë, mendoj se ka ardhur koha të prodhojmë lajme pozitive për shqiptarët, jo konfliktualitet, sherr, e gjuhë urrejtje. Na takon të prodhojmë lajme pozitive për klimën e biznesit dhe çdo akt që duhet të dalë nga ky Parlament apo ai i ardhshëm, duhet t'i shërbejë klimës së biznesit dhe largimit nga gjuha e konfliktit politik që po nxit shumë urrejtje, ndasi të panevojshme. Ky është apeli i një qytetari, jo i një deputeti, i një prindi mbi të gjitha", tha Gjoni.
Artur Roshi: Do votoj kundër, Rama asnjë diferencë politike me presidentin
Teksa po diskutohet raporti për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda, deputeti Artur Roshi nga foltorja e Kuvendit ka treguar hapur votën e tij.
Roshi deklaroi se është kundër shkarkimit të presidentit Ilir Meta, ndërsa tha se Rama sillet si babai i të drejtës, por që sipas tij është babai i pushtetit.
“Ku është shkelja e presidentit Meta? Thonë se është treguar i një anshëm. Po, është treguar i njëanshëm, por ka ruajtur balancën. Rama sillet si babai i të drejtës, por është babai i pushtetit të rrëmbyer. Iniciativa e shkarkimit të parë të Metës kishte elemente më serioze, këtë herë jo. Ju zoti Rama nuk keni diferencë politike me presidentin. Ndaj unë do votoj kundër shkarkimit të presidenti, kundër krimit të një presidenti të tillë”, tha Roshi.
Bushka: Shkleljet e rënda, presidenti nuk mund të vazhdojë detyrën
Përfaqësuesja e PS-së, Klotilda Bushka, në fjalën e saj në parlament, deklaroi se sjelljet e Metës, ndër të tjera, kanë cenuar imazhin e Presidencës. Bushka thekson se pas shkarkimit të presidentit, vendi do jetë në demokraci të plotë.
Sipas saj qëndrimet e njëanshme dhe të paekuilibruara të Metës janë të shkelje të rënda, që nuk mund ta lejojnë që presidenti të vazhdojë detyrën.
“Presidenti bëri shkelje dhe akte në kundërshtim me Kushtetutën. Duhet të mos lejojmë në të ardhmen krijimin e mundësisë që të abuzohet me rolin e presidentit. Në çdo vend, pas shkarkimit të presidentit, nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim negativ për demokracinë. Sjelljet e presidentit kanë cenuar imazhin e Presidencës. Qëndrimet e njëanshme dhe të paekuilibruara të Metës janë shkelje të rënda. Janë të gjitha sjelljet e Metës, që nuk mund ta lejojnë që presidenti të vazhdojë detyrën”, deklaroi Bushka.
Edmond Stojku: Të votojmë pro, ka shkelur Kushtetutën
Nga foltorja Kuvendit, ish-anëtari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Edond Stojku, i bëri sot thirrje deputetëve në Kuvend që të votojnë raportin e hartuar prej tyre dhe kërkesën për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.
Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se Meta ka shkelur në mënyrë të përsëritur Kushtetutën me qëndrimin dhe deklaratat e tij gjatë fushatës zgjedhore, duke humbur funksionin ekuilibrues në jetën politike të vendit.
"Shkaqet pse deputetët kërkuan shkarkimin e Presidentit janë shkeljet e tij në mënyrë flagrante dhe të përsëritur të Kushtetutës dhe funksioneve që të Presidentit që përcakton Kushtetua. Ai ka kryer në mënyrë të përsëritur akt edhe sjellje që përbëjnë akte të rënda të Kushtetutës. Aktet e Presidentit konsistojnë në mesazhe publike që nuk përkojnë me rolin e tij ekuilibrues. Komisioni ka patur si detyrë të hetojë dhe analizojë nëse veprimet e Presidentit janë apo jo në shkelje të Kushtetutës. Presidenti ka shkelur nene të Kushtetutës në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë fushatës elektorale. Kolegë ju ftoj të miratoni raportin e Komisionit Hetimor dhe propozimin për shkarkimi e Presidentit për shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë", tha ai.
Alimadhi: Dua raportin e ekspertit. Hysi: I keni të gjitha
Pas leximit te raportit për shkarkimin e presidentit Ilir Meta në Kuvend nga Alket Hyseni, deputeti i opozitës, Adriatik Alimadhi ka kërkuar vlerësimin e një eksperti për nismën e ndërmarrë.
Ai u shpreh se në momentin që do i duhet të votoj, duhet të jetë i qartë dhe të bindet për shkeljet e Presidentit.
“Ju s’mund të më edukoni mua. Si ka mundësi që gjithë këta deputetë të mos kenë raportin e një eksperti. Këtë po kërkoja? Ka mundësi të na jepni materialin se nuk na e keni dhënë. Unë dua të ndërgjegjësohem me aktet. Mos na bëni si fëmijë. Jo është për procedurë jo s’është. Në momentin që duhet të votoj duhet të krijoj bindjen time të plotë shkarkohet për shkelje të rëndë. Kur vendimi të shkojë në Gjykatën Kushtetues e do t’ju kërkohen këto procedura. Edhe nesër shkon eksperti ligjor do të rrëzohet nga gjykata për këtë punë”, tha Alimadhi.
Lidhur me kërkesën e tij, një reagim i menjëhershëm ka ardhur nga Vasilika Hysi e cila sqaroi se sipas rregullores së Kuvendit Komisioni përcjell në Kuvend raportin, dhe se të gjitha aktet janë të administruara dhe asnjë deputet nuk është i ndaluar të shkojë te sekretaria dhe të lexojë ato prova që përbëjnë sekret. “Në raport i keni të gjitha dhe përgjigjet e pyetjeve tuaja. Kjo është procedurë që rregullohet në procedurën ligjore. Kjo nuk është për të dhënë mësim apo leksion por po sjell diçka që është në rregullore”.
Alket Hyseni prezanton raportin
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar projektvendimin për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës për shkak të shkeljeve të rënda.
Në nisje të seancës së sotme plenare, kreu i Komisionit Hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit ka prezantuar nga foltorja e Kuvendit raportin e hartuar.
Ndër të tjera, Presidenti akuzohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe deputetëve u kërkohet që të votojnë pro për shkarkimin e tij.
“Raporti shtjellohet në 98 faqe dhe 3 anekse. Për shkak të volumit të madh të raportit, iu është shpërndarë deputetëve, është publikuar dhe në faqen e kuvendit, është bërë dhe një përmbledhje. Më 30.04.2021 është depozituar kërkesa e 41 deputetëve që kanë paraqitur propozimin për shkarkimin e Presidentit. Komisioni pasi konstatoi se kërkesa e deputetëve për shkarkimin e Presidentit plotëson kriteret vendosi ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda nga Presidenti të përbërë nga 9 anëtarë. Objekti i ishte hetimi i akteve të kryera të presidentit gjatë fushatës dhe ditën e heshtjes zgjedhore përbëjnë shkelje të kushtetutës. Prishjen e ekuilibrit publik, dëmtimin e imazhit të vendit dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë”, deklaroi kreu i Komisionit hetimor Alket Hyseni.
Maliqi: Seancë turpi, ‘Kushtetuesja’ thotë fjalën e fundit
Deputeti i opozitës Lefter Maliqi doli në mbështetje të presidentit Ilir Meta para nisjes së seancës plenare ku pritet të votohet propozimi i socialistëve për shkarkimin e kreut të shtetit.
Maliqi e ka quajtur seancë turpi, seancën e sotme, ndërsa shtoi se do jetë Gjykata Kushtetuese ajo që do thotë fjalën e fundit për Metën. Ndër të tjera deputeti tha se shtatori do të vijë me protesta.
“Nuk ka shkelje për shkarkimin nga detyra të Metës. Presidenti është i vetmi njeri që mbron votën e lirë. Sot është seancë e turpit e këtij parlamenti të kapur, kjo është një seancë qesharake, aktrim, estradë, është Gjykata Kushtetuese ajo që vendos, që shpresoj mos ta ketë kapur Rama, se nuk ka asnjë alibi për të shkarkuar presidentit, Rama ka ngritur alibinë që një pjesë e ndërkombëtarëve dhe një pjesë e sulmon duke i vënë kushte për hapjen e negociatave. Shtatori do jetë me protesta, me mosnjohje të zgjedhjeve, por vendi është zhytur në varfëri ekstreme, vjeshta do jetë vjeshta e shqiptarëve”, tha Maliqi.



