
Ish-kryeministri konservator i Greqisë Kostas Karamanlis duket se është tërhequr nga politika aktive. Ai bëri me dije këtë të martë se nuk do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen këtë vit në Greqi.
"Kam vendosur që është koha që rrugëtimi im parlamentar të përfundojë," tha ai në një deklaratë të lëshuar për shtyp. “Prandaj nuk do të jem kandidat në zgjedhjet e ardhshme. Natyrisht, unë mbështes gjithmonë qeverinë e Demokracisë së Re, dhe partinë e themeluar nga Konstantinos Karamanlis, të cilës i kam shërbyer vazhdimisht për gati gjysmë shekulli”.
Mitsotakis falënderoi ish-kryeministrin "për kontributin e tij afatgjatë në parti dhe në vend".
“Personalisht, nuk harroj se nën udhëheqjen e partisë së tij i jam bashkuar politikës”, tha Mitsotakis në një deklaratë. “E di që Demokracinë e Re e ka gjithmonë në zemër. Aq më tepër sot, kur pika e kthesës në rrugëtimin e tij shumëvjeçar përkon me hapjen e horizonteve të reja dhe optimiste për vendin dhe partinë tonë.” Marrëdhëniet mes tij dhe Mitsotakis u ftohen pas thirrjeve për hetim të përgjimeve të Shërbimit Informativ Kombëtar ndaj zyrtarëve politikë dhe gazetarëve. Karamanlis u zgjodh për herë të parë deputet i Selanikut në vitin 1989 nën siglën e Demokracisë së Re, ndërsa në vitin 2004 u bë deputet i Larisës. Ai u bë udhëheqës i partisë në 1997-ën pas humbjes së Demokracisë së Re në zgjedhjet e 1996 dhe shërbeu si kryeministër i partisë konservatore në 2004-2009.



