Debati në KLP: Kur “shumica absolute” zbulohet vetëm kur nuk të intereson rezultati

Debati në KLP: Kur “shumica absolute” zbulohet vetëm kur nuk të intereson rezultati

Një verifikim i procesverbaleve të publikuara të Këshillit të Lartë të Prokurorisë ngre pyetje serioze mbi selektivitetin e shqetësimeve proceduriale të Kryetares Mirela Bogdani

 

Debati i fundit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë midis Kryetares Mirela Bogdani dhe anëtarit Sokol Stojani ka nxjerrë në sipërfaqe një çështje që shkon shumë më thellë se një mosmarrëveshje teknike mbi rregullat e votimit. Bogdani pretendoi se vendimmarrja e datës 2 prill 2026, e cila u nda me votat 4-3-2 sipas tre propozimeve konkurruese, nuk ishte e vlefshme sepse nuk kishte arritur shumicën absolute. Stojani e kundërshtoi. Por pyetja e vërtetë nuk është kush ka të drejtë mbi nenin e ligjit. Pyetja është: pse pikërisht këtu dhe pikërisht tani?

 

Votimi i 2 prillit: Tre propozime, shumicë relative, vendim

 

Sipas informacioneve të disponueshme, në mbledhjen e datës 2 prill 2026, tre propozimet e parashtruara morën respektivisht 4, 3 dhe 2 vota nga anëtarët e KLP-së. Propozimi me 4 vota u konsiderua fitues.

 

Megjithëse nuk e kudnërshtoi, në mbledhjen e rradhës, Kryetarja Bogdani ka kërkuar rishikimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai nuk kishte shumicën absolute të kërkuar. Është një argument që tingëllon ligjor dhe i rregullt, deri në momentin kur hap procesverbalet e mëparshme të të njëjtit institucion.

 

Çfarë tregojnë procesverbalet e tjera: Precedentë të vendosur, shqetësime të harruara

 

Nga një verifikim i rastësishëm i procesverbaleve të publikuara të KLP-së, dalin të paktën tre raste ku vendimmarrja me shumicë relative, dhe jo absolute, ka qenë jo vetëm e pranuar, por e pakontestuar nga askush, duke përfshirë vetë Kryetaren Bogdani.

 

Si shmebull më tipik është historia fillon që në vitin 2022, me një nga vendimet më të rëndësishme institucionale të dekadës, zgjedhjen e Kreut të SPAK. Me 10 anëtarë të pranishëm dhe tre kandidatura në garë, votimi u nda në këtë mënyrë, kandidatura Xholi mori 1 votë, kandidatura Kondili mori 4 vota, dhe kandidatura Dumani mori 5 vota. Dumani u shpall fitues, me saktësisht gjysmën e anëtarëve pranishëm, pa arritur shumicën absolute. Vendimi u pranua pa asnjë debat, pa asnjë kundërshtim procedural, nga askush.

 

Nëse shohim procesverbalin e datës 8 tetor 2024 paraqet një situatë po aq të qartë. Çështja kishte të bënte me vlerësimin periodik të një prokurori dhe standardin e pikëzimit, ku të pranishëm ishin 10 anëtarë në sallë. Në votimin e zhvilluar propozimi i znj. Riza për ulje me 3 pikë në vlerësimin e prokurorit mori 4 vota, ndërsa propozimi tjetër që të uleshin të gjitha pikët mori vetëm një votë. Më tej, propozimi i z. Duda dhe z. Merkuri për ulje me 4 pikë mori 5 vota dhe u shpall fitues. Në këtë rast versioni fitues, përsëri nuk kishte arritur shumicën e kërkuar. Edhe në këtë rast, askush nuk protestoi. Asnjë kërkesë rishikimi nuk u ngrit.

 

Më 30 janar 2025 KLP u shpreh në lidhje me procedimin disiplinor kundër prokurorit Kledian Llaho, konkretisht vendimi nr. 15, datë 30.1.2025. Me 11 anëtarë të pranishëm, vendimi i Këshillit u nda në tre grupe, ku 5 anëtarë (Hoda, Germenji, Staka, Riza dhe Fejzulla) votuan për masën “vërejtje publike”, 4 anëtarë (Stojani, Eminaj, Duda dhe Mandro) votuan që nuk kishte vend për asnjë masë, ndërsa 2 anëtarë (Merkuri dhe Bogdani) votuan për masë më të rëndë. Fituese doli “vërejtja publike” me 5 vota nga 11, sërish nën pragun e shumicës “absolute”. Znj. Bogdani humbi, pozicioni i saj mori vetëm 2 vota, dhe megjithatë nuk ngriti asnjë shqetësim procedural.

 

Në një tjetër procesverbal atë të datës 17 shtator 2025, situata solli sërish tre propozime të ndryshme mbi vlerësimin periodik të një prokurori, ku të pranishëm ishin 10 anëtarë. Në atë votim, propozimi i relatorit mori 2 vota, propozimi i z. Hoda mori 4 vota, dhe propozimi i z. Merkuri gjithashtu mori 4 vota. Barazimi 4 me 4 u zgjidhi në favor të propozimit të z.Merkuri, i cili u shpall fitues, pra jo me shumicën e “absolute” të votave. Edhe në këtë rast, asnjë kundërshtim procedural nuk u ngrit.

 

Së fundmi, nëse shohim procesverbalin e datës 12 mars 2026, del prapë e njëjta situatë. Ishin sërish tre propozime të ndryshme, nga ku propozimi i z. Stojani mori 5 vota, propozimi i znj. Riza mori 4 vota, dhe propozimi i vetë Kryetares, znj. Bogdani, mori vetëm 2 vota. Asnjëri nuk kishte shumicë absolute. Znj. Bogdani jo vetëm që nuk kundërshtoi, por lexoi vendimin e Këshillit dhe e deklaroi mbledhjen e mbyllur. 

 

Interesante është edhe vetë mbyllja e mbledhjes plenare të datës 2 prill 2026. ku Kryetarja znj. Bogdani, mbasi lexon votat për secilin propozim nuk ngriti asnjë kundërshtim procedural. Madje, sipas të dhënave, ajo vetë e deklaroi mbledhjen të mbyllur dhe sqaroi zbatimin e vendimit të fituar nga Stojani, duke thënë: “propozimi që mori më tepër vota ishte ai i Relatorit, Z. Stojani”.

 

Me fjalë të tjera, Bogdani e aplikoi vetë logjikën e shumicës relative, por kujtohet ta kontesoi më vonë.

 

Selektiviteti si problem institucional

 

Të gjitha rastet e sipërcituara vijnë nga një verifikim i rastësishëm i procesverbaleve të publikuara të KLP-së. Nuk bëhet fjalë për një hetim të thelluar. Imagjinoni çfarë mund të dalë nëse dikush i shfletonte me imtësi të gjitha procesverbalet e viteve të fundit.

 

Ajo që del qartë nga këto të dhëna është se vendimmarrja me shumicë relative kur ka tre ose më shumë propozime konkurruese ka qenë praktikë e zakonshme, e pranuar dhe e pakontestuar brenda KLP-së. Kjo do të thotë, që të paktën ky lloj votimi, ka qenë normë institucionale e konsoliduar.

 

Rrjedhimisht, shtrohet pyetja që znj. Bogdani duhet t'i japë përgjigje publikut dhe anëtarëve të KLP-së:

 

Pse nuk e ngriti këtë shqetësim kur u votua për Kreun e SPAK, në vitin 2022?

Pse nuk e ngriti këtë shqetësim në tetor të vitit 2024?

Pse nuk e ngriti këtë shqetësim në muajin shtator 2025?

Pse nuk e ngriti këtë shqetësim në muajin shtator 2025?

Dhe pse, nuk e ngriti këtë shqetësim në muajin mars 2026?

 

Ndoshta përgjigja është thjesht mosnjohje e vazhdueshme e praktikës procedurale, por kjo do të ishte shqetësuese për kryetaren e një institucioni kushtetues.

 

Ndoshta përgjigja është tjetër, dikush tejtër i tha ta bënte. Dikush kishte interes që vendimi i 2 prillit 2026 të rishikohej. Dhe mekanizmi i zgjedhur ishte një shqetësim “procedural” i shpikur selektivisht, i zbatueshëm vetëm kur rezultati nuk kënaq.

 

Nëse është kështu, ky nuk është më një debat mbi rregullat e votimit. Ky është një debat mbi pavarësinë e institucioneve.

 

Znj. Bogdani i ka borxh një sqarim publikut, dhe sistemit të drejtësisë.


Shënim: Të dhënat e përdorura në këtë shkrim burojnë nga procesverbalet e publikuara zyrtarisht të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy