
Një shpërthim i fuqishëm u shënua gjatë së enjtes në një impiant kimik në Slloveninë juglindore, duke shkaktuar ë paktën 20 të plagosur.
Autoritetet u kërkuan banorëve në zonën aty pranë që të qëndrojnë brenda. Shpërthimi u shënua rreth orës 8:30 në Kocevje, qytet me 8 mijë banorë i cili ndodhet rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Lubjanë, teksa shkaqet nuk dihen ende.
Policia këshilloi banorët e zonës që të mbyllin dritaret dhe të mos dalin jashtë.
Ndërkohë që u thirr një mbledhje urgjente e administratës vendore, teksa zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës shkuan me shpejtësi drejt fabrikës ku ra zjarri, i cili arriti të vihet nën kontroll.
Fabrika ku ndodhi shpërthimi prodhon kimikate të tilla si rrëshira për letër, ndërtim, dru, gomë dhe industrinë e llakut. Në këtë fabrikë punojnë rreth 200 punonjës.



