
Konfindustria i kërkon Kuvendit të Shqipërisë, të thërrasë në interpelancë përfaqësuesit e ekzekutivit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë/MFE për të arsyetuar publikisht, se përse borxhi ri prej 600 milion euro realizuar në qershor 2023 u emetua në tregjet ndërkombëtare, duke anashkaluar tregun e brendshëm financiar. Lidhur me këtë, eksperti i ekonomisë Zef Preçi u shpreh se kjo përbën një shqetësim pasi qeveria po merr borxhe për të shlyer borxhet e mëparshme. Ai tha se duhet transparencë se për çfarë po përdoren borxhet dhe sipas tij vendimet duhet të merren sipas interesit publik dhe jo atyre të oligarkëve. “Së pari duhet thënë se se qeveria është krejtësisht legjitime në marrjen e borxhit publik, por në të njëjtën kohë detyrimi për tu shpjeguar përballë taksapaguesve, sovranit, është detyrim që nuk duhet të jetë me kërkesë, por duhet ta ndjejë si legjitimitet. Shqetësim mbetet detyrimi pse po merren borxh, pse s’po dalim nga kjo gropë thithëse, duhet të kuptojmë se çdo borxh që merret duke pasur si garanci qeverinë është e pashmangshme shlyerja e tij kështu që s’mund të shihet si sukses. Kjo tregon dhe anën tjetër se për shkak të rritjes së ekonomisë së ngadalshme qeveria detyrohet tu drejtohet tregjeve të huaja. Kjo nuk është e favorshme, risqet janë rritur çka do të thotë se nëse nuk tentohet për të përmirësuar performancën fiskale kjo situatë do vazhdojë duke rritur dhe shumën nga një borxh në tjetrën”. Në vijim ai shtoi se natyrisht futja në rrethin e borxhit është imponuar nga rrethana të caktuara dhe është një mundësi për të realizuar planin qeverisës, por marrja e borxhit të ri për të shlyer tjetrin merren për të ulur dhe jo për të dyfishuar siç ka ndodhur. “Duhet dhe më shumë transparencë dhe do ishte mirë të ndodhte kështu, dhe qeveria nuk ka ndonjë transparencë në këtë fushë. Bashkohem me shqetësimin e konfindustrisë për më shumë transparencë të qeverisë lidhur me borxhin në veçanti. Uroj të ketë një diskutim dhe banka qëndrore të kontribuonte për të ruajtur stabilitetin dhe për politika që i shërbejnë kësaj. Duhet të kuptojmë se nëse banka qendrore nuk përmbush rolin e vet vihet në pikëpyetje stabiliteti i vendit dhe në këtë kuptim harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale që ndërmerr qeveria merr rëndësi të veçantë në periudhash të tilla krize”. Preçi tha se ekonomia kriminale ka fituar terren dhe rreziqet janë dhe më të mëdha në vijim, pasi sipas tij kemi hyrë në disa rrjedha shumë të rëndësishme që rrokin, ekonominë. “Maxhoranca aktuale ka qeverisur në kufi të ligjshmërisë dhe paligjshmërisë, ndoshta masa të tilla të ndikuara dhe nga oligarkia, duhet pranuar se shkojnë në të njëjtën kahe me defacionet që po shfaq ekonomia. Banka duhet të jetë së pari përmes edukimit fiskal dhe së dyti duhet pranuar se nëse situata rrezikon të agravojë të vendosë taksa persh. te njësitë e këmbimit valutor apo deri te printimi i parave shqiptare. Ka nevojë për më shumë debat dhe vendimmarrje që kanë në qendër interesin publik dhe jo atë oligarkik. Duket sikur qeveria dhe biznesi janë në harmoni dhe po varfërojnë konsumatorin, por kjo nuk shkon gjatë”.



