Avokati Arbër Hoxha, për paralajmërimet për ndryshimet ligjore dhe kushtetuese për punën e drejtësisë, duke kërkuar ndryshimin e 140 neneve, thotë se kushdo që të jetë mazhoranca dhe opozita, duhet një spektër më i gjerë juridik për të ndryshuar Kushtetutën dhe Kodin e Procedurës Penale.
Besoj se këto ndryshime do shkojnë në vitin 2025.
Madje Berisha ka shkuar me tej kur i ka kërkuar Komisionit të Venecias duke kërkuar të zhbëhet gjithçka është bërë deri më tani.
Duke folur për “MCN Informacion”, Hoxha tha se me hapjen e universiteteve private, një pjesë e juristëve nuk e meritojnë të jenë juristë dhe se një pjesë të famës së keqe ia kanë dhënë avokatët drejtësisë.
Ne e katandisëm sistemin e drejtësisë kështu prej fakulteteve private. Ka nevojë për një reformim të sistemit të avokatisë.
Nuk është çështja vetëm te avokatia. Ndryshimet ligjore nuk mund të bëhen pa prekur Kushtetutën.
Duket mungesë koherence të diskutosh atëherë kur nuk i ke numrat. Është e qartë që të dyja partitë opozitare nuk duan t’i bashkojnë numrat.
Është si të bësh një vrimë në ujë. Është praktikisht e pamundur, është një debat i parakohshëm, mirë do ishte të konfigurohej parlamenti pas 2025 dhe më pas të shihet qëndrimi që do të mbahet nga të dyja palët.
Zoti Berisha dhe zoti Meta që po përballen me drejtësinë, të dy duan ta zhbëjnë reformën në drejtësi, por duke qenë kontribut amerikan dhe ndërkombëtar besoj se nuk preket kollaj.
Absolutisht që ka vend për përmirësim.
Disa dispozita që kanë të bëjnë me shkeljen e barazisë në tendera duhet të ndryshojnë dhe besoj se mund të rishikohet pjesa e avokatisë dhe pjesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve që të kalojnë direkt nga Shkolla e Magjistraturës, ndërkohë që ka shumë profesionistë të mirë që mund të kontribuojnë si magjistrat.



