
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, nuk do të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Në një letër dërguar homologut të tij boshnjak, Igor Crnadak, Bushati ka argumentuar mospjesëmarrjen e tij në këtë event me mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën.
Në letër, Bushati shprehet se nuk mund të ketë diskutim kuptimplotë dhe të dobishëm mbi rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, pa qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor, në frymën e mirëkuptimit, respektit dhe gjithëpërfshirjes.
"Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian", është tema e konferencës së organizuar me iniciativë të Ministrisë së Punëve të jashtme të Bosnje-Hercegovinës. Konferenca është parashikuar të mbahet më datë 23 shkurt, në Banja Luka.



