Zjarri i rënë mesditen e djeshme po rrezikon Parkun Kombëtar të Thethit.
Me kërkesë të Drejtorisë së Emergjencave Civile, helikopterët kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve, duke hasur në vështirësi, pasi ka vetëm një vend në fshatin Ndërlysë ku ata mund të marrin ujë. Agjencia e Zonave të Mbrojtura ka kërkuar edhe ndihmën e Prefekturës së Shkodrës, për ndërhyrjen nga ajri për izolimin dhe shuarjen e tij, pasi terreni është shumë i vështirë. Situata është e rënduar për shkak se flakët e zjarrit po përhapen, terrenit të vështirë dhe mungesës së valëve telefonike që vështirëson komunikimin në operacion. Zjarri në Theth ka përfshirë një siperfaqe te madhe dhe ndihmohet edhe nga erërat e forta, ndërsa ende nuk dihet nëse zjarrvënia ka qenë e qëllimshme.



