
Presidenti Ilir Meta ndan një mesazh me rastin e nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Kreu i shtetit thotë se fushata për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit në Bashkitë Shkodër, Durrës, Lushnjë, Dibër, Vorë dhe Rrogozhinë, që nis sot, është një mundësi e shkëlqyer për subjektet garuese dhe kandidatët e tyre për të parashtruar programe konkrete zhvillimi dhe gjithëpërfshirjeje në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve.
“Duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe të ndershme, të një fushate në mbështetje të Kodit Elektoral, ligjeve dhe Kushtetutës, të drejtë, transparente, larg retorikës, tensioneve dhe fenomeneve të papranueshme që kemi parë në të kaluarën, i inkurajoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote, në të gjashta njësitë vendore, të marrin pjesë masive në zgjedhje”, shprehet Presidenti.
Në një apel drejtuar qytetarëve, Meta thotë se nuk duhet humbur mundësia që secili të tregojë forcën dhe vullnetin e tij për të zgjedhur kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen.
Presidenti e mbyll mesazhin e tij duke thënë se vota është forca e vetme dhe e vërtetë e qytetarit në demokraci.



