Dy pista hetimore ka Policia dhe Prokuroria e Vlorës për vrasjen makabër të ndodhur në hotelin luksoz në plazhin e Dhërmiut. Eraldo Nevruzi, recepsionist i hotel “Grecce” është dhunuar deri në vdekje nga i dyshuari Gerald Shehu i arrestuar pas krimit në Korfuz të Greqisë.
Askush s’do ta besonte se telefonata për humbjen e kontakteve me recepsionistin e Hotel “Grecce” në Dhërmi, do të zbulonte një krim makabër ende pa një motiv të dokumentuar. Edhe pse jo zyrtarisht flitet se janë pazaret e drogës që qëndrojnë pas këtij krimi, Geraldo Shehu ende s’ka folur përse e ka ekzekutuar Eraldo Nevruzin.

Teksa kaluan më pak se 5 orë nga krimi i rëndë, ndërhyrja e policisë së Vlorës duke mos u bazuar vetëm në procedurë por në veprime konkrete zbuloi Vrasjen e dhunshme. Këto janë pamjet e dhomës së hotelit ku qëndronte Nevruzi, i cili sipas rindërtimit të skenës së krimit është dhunuar më pas vrarë dhe me qese mbeturinash është marrë nga shehu me ndihmën e Danjel Qose dhe Davi Larti për t’u hedhur në një zonë malore.
Policia e Vlorës mundi të identifikojë dinamikën, largimin me vrap të shehut me automjetin e tij fuoristradë me targa angleze. Kaq mjaftoi që ai të shpallej në kërkim, por 43-vjeçari tashmë ishte arratisur nga Shqipëria. Me një taksi ai kishte mbërritur deri në Igumenicë e më pas në Korfuz. Ndërsa udhëtimi drejtë Barcelonës e më pas Britanisë do të ndalej në mes.
Interpoli Grek me të dhënat e dërguara nga Vlora e Tirana e arrestuan teksa u paraqit në aeroportin e Korfuzit, ndërsa dy ndihmësit e tij Qose e Larti u kapën po në Vlorë. Për zbardhjen e ngjarjes së Rëndë reagoi edhe ministri i brendshëm z.Balla, duke vlerësuar Policinë e Vlorës dhe konsideruar këtë një sfidë.
“Zbardhja në një kohë sa më të shpejtë e ngjarjeve kriminale, gjetja dhe ndalimi personave të dyshuar si autorë apo të përfshirë në këto ngjarje, janë një sprovë e rëndësishme e performancës së policisë. Përgëzime Policisë së Shtetit për hetimet e deritanishme lidhur me një ngjarje kriminale në Dhërmi, ndalimin e një personi të dyshuar në një aeroport të një vendi fqinj. Do të punojmë me autoritetet dhe agjencitë ligjzbatuese të këtij vendi për përballjen sa më parë me drejtësinë të personit të dyshuar”.
Shehu nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare, në vitin 2022 ai është shpallur në kërkim për veprën penale të ndërtimit pa leje në plazhin e detit Jon në Dhërmi por asokohe policia s’mundi ta arrestojë. Autoritetet Shqiptare ndërkohë kanë kërkuar nga policia britanike të dhëna për Autorin e Dyshuar dhe Viktimën për të kuptuar edhe motivin real apo një përplasje mes tyre në Britani.



