“Kapja e Ermal Beqirit është një sukses”, Meksi: Nëse ekstradohet do të ketë zhvillime të mëdha (VIDEO)

“Kapja e Ermal Beqirit është një sukses”, Meksi: Nëse ekstradohet do të ketë zhvillime të mëdha (VIDEO)

Arrestimi i biznesmenit Ermal Beqiri vijon të mbetet në qendër të vëmendjes, ndërsa dyshimet e ngritura në Francë kanë marrë një tjetër dimension. Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, ka bërë të ditura detaje nga komunikimi me gazetarin francez që ka ndjekur çështjen, duke deklaruar se dyshimi i parë i autoriteteve franceze ka qenë ai i spiunazhit.

 

Sipas Meksit, lëvizjet e avionit të vogël me të cilin udhëtonte Beqiri kanë ngritur dyshime te autoritetet franceze, pasi itinerari i tij ka përfshirë një zonë pranë një centrali bërthamor në Normandi.

 

Nuk ka detaje të reja, por vetë gazetari francez nuk e njihte Ermal Beqirin deri në momentin që kërkoi informacion për të. Ai më ka cituar se i vetmi dyshim që është konfirmuar nga Ministria e Brendshme franceze lidhet me trajektoren që ka bërë avioni i vogël. Ai është nisur nga një aeroport i vogël në veri të Parisit, ka shkuar në Kale dhe më pas në qendrën e energjisë nukleare në Normandi. Dyshimi i parë i ngritur nga autoritetet franceze ka qenë nëse bëhej fjalë për një agjent rus apo për një rast spiunazhi.

 

Ai shtoi se autoritetet franceze kanë reaguar duke e shoqëruar avionin me mjete ushtarake dhe gjatë kontrollit kanë gjetur edhe pajisje gjurmimi.

 

E kanë shoqëruar me avionë ushtarakë dhe gjatë kontrolleve i kanë gjetur tre pajisje gjurmuese të llojit AirTag. Vetëm pas verifikimit në Interpol ka rezultuar se ai ishte person i kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare. Çështja e tij tashmë është një proces ekstradimi dhe nëse ai do të kthehet në Shqipëri, do të ketë zhvillime të rëndësishme.

 

Meksi foli edhe për interesin që mund të kenë deklaratat e Beqirit për hetimet që po zhvillohen në Shqipëri, duke theksuar se ai është një person me një numër të madh akuzash të ngritura nga SPAK, teksa theksoi se ky arrestim nuk ka fare ndikim te Rama.

 

Nga letrat e sekuestruara nga SPAK, që padyshim janë marrë dhe janë studiuar, nga llogaritë bankare të personave kyç dhe nga dosja e lokalizimeve e gjurmimeve të disa personave të rëndësishëm, deklaratat e mundshme të Beqirit kanë interes të madh. Ai mund të zgjedhë edhe të mos flasë, por unë dyshoj dhe gjykoj se për disa çështje nuk ka arsye pse të mos deklarojë.

 

Kapja e Ermal Beqirit nuk besoj se ka ndonjë interes të drejtpërdrejtë për Ramën. Beqiri ka qenë në kërkim që prej 16 dhjetorit dhe u arrestua pas një incidenti që, të paktën deri tani, duket rastësor.

 

Thelbi i kësaj dosjeje nuk është vendi apo mënyra se ku u kap Ermal Beqiri, edhe pse këto janë detaje teknike interesante. Çështja kryesore është se bëhet fjalë për personin më të rëndësishëm të aferës së AKSHI-t dhe, në logjikën e transparencës, ndjekjes penale dhe vendosjes së drejtësisë, arrestimi i tij përbën një sukses, edhe nëse mënyra e kapjes ka qenë rastësore.

 

Sipas tij, një dëshmi e mundshme e Beqirit mund të prekë një numër të konsiderueshëm personash të përfshirë në çështje të ndryshme.

 

Ka rreth 150 persona, mendoj, që nuk janë të lumtur që ai u kap dhe që mund të flasë. Të parët që do të preken janë ata që janë të përfshirë në këto çështje. Pjesa e pazareve mes palëve private zakonisht nuk del në letra, por mund të dalë përmes deklarimeve. Beqiri, duke qenë personi me shumë tituj akuzash mbi supe nga SPAK, mund të zgjedhë të bashkëpunojë për të lehtësuar pozitën e tij.

 

Meksi ngriti gjithashtu dyshime se çështja mund të ketë lidhje jo vetëm me tendera, por edhe me akuza të tjera më të rënda.

 

Të tjerët janë të përfshirë kryesisht te tenderat, ndërsa Beqiri është i përfshirë në disa drejtime hetimore, përfshirë edhe çështje të tjera si pengmarrjet. Në këtë optikë, çdo deklaratë e tij mund të ketë peshë të madhe për zhvillimet e mëtejshme.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy