
Këshilli i Lartë i Drejtësisë bën me dije se ka nisur hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, K.G, pas vendimin për lejimin e ekstradimit për shtetasin shqiptar Nezar Seiti në drejtim të Italisë.
Me anë të një njoftimi, KLD bën me dije se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit për vendimin e marrë më 18 dhjetor 2017.
"KLD njofton opinionin publik se nga shqyrtimi paraprak i ngjarjes, konstatohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për të verifikuar dyshimet e arsyeshme të ngritura në media dhe në opinionin publik për shkelje në procedurat gjyqësore të ekstradimit dhe që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga ankesa publike dyshohet për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë figurën dhe pozitën e gjyqtarit sipas nenit 140 pika 2 të Kushtetutës (shkelje haptazi e nenit 491 pika 1 shkronja ‘ç’ dhe 498 pika 2 të K.Pr.Penale), të cilat nëse provohen se janë kryer, veç të tjerave përbëjnë shkelje disiplinore të parashikuar nga ligji", thuhet në njoftim.
Në njoftimin e KLD thuhet se përfundim të hetimit disiplinor nga Inspektoriati i KLD-së, publiku do të njihet me rezultatet e tij dhe do të ndiqen procedurat ligjore.
Ekstradimi i Nezar Seitajt, i njohur si financieri i Habilajve, ka shkaktuar akuza të forta politike mes opozitës dhe mazhorancës, pasi demokratët pretendojnë se ekstradimi i shpejtë i tij është bërë qëllimisht.



