Gazetari Arsen Rusta foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me akuzat e ish-deputetes Monika Kryemadhi, që pretendoi për intimidim të dëshmitarëve nga ana e prokurorëve të SPAK. Rusta thotë se kur të kryhet seanca me dyer të hapura do kemi mundësi të kuptojmë faktet dhe dëshmitarët e intimiduar.
“Sa i përket dëshmitarëve publikë është Endrit Braimllari, që ka qenë ish-funksionar i LSI dhe aktualisht është në PS. Ai është anatemuar nga z.Blushi, nga z.Meta si një person që ka ndryshuar deklarimet e tij. Znj.Kryemadhi përmend edhe një listë biznesmenësh, që sipas saj janë intimiduar nga prokurorët. A ka ndodhur vërtet? Duhet të na japë një fakt, të paktën deri në këto momente s’e disponon. Kemi një pretendim. Kur seanca të jetë me dyer të hapura, aty do të jetë znj.Kryemadhi, z.Meta, aty kemi mundësi të kuptojmë faktet dhe dëshmitarët e intimiduar. Vërtet ajo përmendi një listë të gjatë biznesmenësh, por asnjë nga biznesmenëve të përmendur s’është dëshmitar në këtë proces. Ende s’jemi në fazën e dëshmitarëve”.
Duke folur mbi garën për kreun e SPAK-ut, Rusta tha se aplikantët pritet t’i shohim javën e fundit të shtatorit, ose në fillim të tetorit.



