
Lufta e Britanisë së Madhe ndaj emigrantëve do të ashpërsohet edhe më shumë gjatë vitit 2023. Ky është objektivi kryesor i qeverisë britanike, ashpërsimi i procedurave të azilit por edhe rritja e kontrollit në kanalin e La Manshit, aty ku zbarkojnë gomonet me emigrantë të paligjshëm.
Sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Brendshme britanike, gjatë vitit që lamë pas, kanali u kalua nga 17,000 emigrantë më shumë se një vit më parë, duke vendosur kështu një rekord të ri shqetësues.
Prandaj qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nuk është tërhequr nga vendimi për t’i nisur drejt Ruandës, në Afrikën Lindore, të gjithë ata që kanë hyrë ilegalisht në tokën e tyre.
Megjithatë edhe nëse atyre do t'u njihet në këtë shtet statusi i refugjatit, nuk do të ketë në asnjë mënyrë apo për asnjë rrethanë mundësi për t'u kthyer në Britaninë e Madhe.
Edhe pse Gjykata Evropiane të të Drejtave të Njeriut arriti të anulonte fluturimin e parë për dëbimin e emigrantëve, Gjykata e Lartë e Londrës e shpalli këtë procedurë si parimisht të ligjshme.
Vetë kryeministri, Rishi Sunak, nip emigrantësh nga India, njoftoi se në vitin 2023 do të ashpërsojë më tej legjislacionin për azilin, duke theksuar edhe njëherë qëndrimin e tij të ashpër për këtë çështje.
Kjo pasi në vitin që lamë pas, më shumë se 45,000 emigrantë kaluan ilegalisht nga Franca, Kanalin e La Manshit për në Britaninë e Madhe. Në një raport të BBC, 12.000 prej tyre, ishin emigrantë shqiptarë.



