
Është rënduar në dy, bilanci i viktimave si pasojë e shpërthimit të ndodhur sot në Lushnjë, ndërkohë që 7 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Korrespondentja e MCN TV raporton se pas vinçierit Roland Hoxha ka humbur jetën dhe i biri, Elidon Hoxha, gjatë transportit me ambulancë për në Tiranë.
Kujtojmë që shpërthimi ndodhi në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Plastmasit pasi vinçi me të cilin po punonin ra në kontakt me linjën e tensionit të lartë duke shkaktuar flakë të mëdha.
"Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e sotme, në një kapanon në ndërtim, Lushnjë, ju informojmë se ka ndërruar jetë dhe shtetasi i dëmtuar nga shpërthimi, shtetasi E. H. Në momentin e shpërthimit ndërroi jetë shtetasi L. H, dhe u plagosën tetë shtetas. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Fier, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje", thuhet në një njoftim të Policisë.
(16:55) Shpërthim i fuqishëm në Lushnjë/ Një i vdekur dhe 8 të plagosur. Mes të plagosurve edhe deputeti i PS
Një shpërthim i fuqishëm ndodhi sot në qytetin e Lushnjës, duke lënë për pasojë një të vdekur dhe 8 të plagosur.
Korrespondentja e MCN TV bën me dije se mes të plagosurve është edhe deputeti socialist Bujar Çela. Ky i fundit ndodhet në sallën e operacionit dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shpërthimi ka ndodhur pasi gjatë punimeve në një kapanon në ndërtim një vinç aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë.
Në vendngjarje ka mbërritur edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
NJOFTIMI
Rreth orës 16:05 në vendin e quajtur "Rrethrrotullimi i Plasmasit", në një kapanon në ndërtim dyshohet se gjatë punës, një vinçier duke drejtuar një vinç, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm.
Si pasojë e shpërthimit ka humbur jetën shtetasi L. V., dhe janë plagosur 8 shtetas mes tyre dhe deputeti B. Ç., të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjeksore.
Menjëherë nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe Komisariati i Policisë Lushnjë është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të shpërthimit.



