Dakota e Veriut miratoi të hënën një nga ligjet më të rrepta kundër abortit në SHBA pasi guvernatori republikan Doug Burgum nënshkroi legjislacionin që ndalon procedurën gjatë gjithë shtatzënisë, me përjashtime të vogla deri në gjashtë javë shtatzënie.
Në ato javë të hershme, aborti do të lejohej vetëm në rastet e përdhunimit, incestit ose emergjencës mjekësore, siç është shtatzënia ektopike.
“Ky projekt-ligj sqaron dhe rafinon ligjin ekzistues të shtetit … dhe riafirmon Dakotën e Veriut si një shtet pro-jetës”, tha Burgum në një deklaratë.
Vendimi i vitit të kaluar i gjykatës supreme amerikane që përmbysi vendimin e vitit 1973 Roe kundër Wade që legalizoi abortin në mbarë vendin, ka shkaktuar ligje të shumta shtetërore që ndalojnë ose kufizojnë procedurën.
Shumë u përballën me sfida ligjore. Aktualisht, ndalimet e abortit në të gjitha fazat e shtatzënisë janë në fuqi në të paktën 13 shtete dhe në pritje në të tjera për shkak të urdhrave të gjykatës.
Nga ana tjetër, guvernatorët demokratë në të paktën 20 shtete këtë vit nisën një rrjet që synon të forcojë aksesin ndaj abortit pas vendimit të gjykatës supreme që eliminoi të drejtën kushtetuese të grave për t'i dhënë fund shtatzënisë dhe zhvendosi fuqitë rregullatore mbi procedurën tek qeveritë e shteteve.
Ligji i Dakotës së Veriut është krijuar që të hyjë në fuqi menjëherë, por muajin e kaluar gjykata supreme e shtetit vendosi që një ndalim i mëparshëm të mbetet i bllokuar ndërsa vazhdon një proces gjyqësor mbi kushtetutshmërinë e tij.
Javën e kaluar, ligjvënësit thanë se synonin të kalonin projektligjin e fundit si një mesazh për gjykatën e lartë të shtetit, duke sinjalizuar se njerëzit e Dakotës së Veriut duan të kufizojnë abortin.
Mbështetësit kanë thënë se masa e nënshkruar të hënën mbron të gjithë jetën njerëzore, ndërsa kundërshtarët pretendojnë se do të ketë pasoja të tmerrshme.
Dakota e Veriut nuk ka më asnjë klinikë aborti. Verën e kaluar, objekti i vetëm i shtetit, Klinika e Grave Red River, mbylli dyert në Fargo dhe i zhvendosi operacionet në një distancë të shkurtër përtej kufirit në Moorhead, Minesota, ku aborti mbetet i ligjshëm.



