Vendimi i marrë në shtator 2026 nga autoritetet shqiptare për të ndaluar zyrtarisht importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas zbulimit të mbetjeve të substancave veterinare, ka ndezur një debat të madh mbi sigurinë ushqimore dhe cilësinë e produkteve që mbërrijnë në tryezat e qytetarëve.
Në "MCN Live", eksperti i njohur i sigurisë ushqimore, Abdyl Sinani, ka kritikuar ashpër tolerimin e konsumit të ngarkesave aktuale braziliane që ndodhen në tregun vendas. Ai sqaroi rrezikun e madh që vjen nga prania e antibiotikëve në mish, si për prodhimet e importit, ashtu edhe për ato vendase.
Sinani shpjegoi procesin se si antibiotikët mbeten në mishin e kafshëve nëse nuk respektohen afatet e duhura përpara therjes dhe ndau qëndrimin e tij të prerë kundër kompromisit me shëndetin publik.
Ne e dimë që për të gjitha bagëtitë e trasha, 40% e mishit të tyre bëhet me antibiotikë dhe ajo kërkon një kohë të caktuar nga përdorimi derisa të theret, që të eliminohet nga organizmi. Kjo ka ndodhur edhe në Brazil, ku rezultoi se mishi ka shumë antibiotikë dhe u urdhërua që mishi brazilian të mos përdoret më. Por për ne u bë një përjashtim, që të konsumohet ajo që është aktualisht gjendje në treg dhe të mos pranohet më shumë në të ardhmen. Unë si ekspert nuk mund ta pranoj kurrë këtë vendim, sepse ky mish është shumë i dëmshëm si për të rriturit, por akoma më tepër për fëmijët. Organizmi i njeriut është një.
Më tej, eksperti vuri theksin te rëndësia e gjurmueshmërisë dhe te domosdoshmëria e pajisjes së çdo produkti me "kodin lot", i cili shërben si një pasaportë dixhitale për të kontrolluar historikun e ushqimit.
Kodi lot do të jetë pasaporta për çdo produkt ushqimor që do të konsumojmë. Kur futet kodi lot në kompjuter, të dhënat dalin direkt, dhe kjo kërkon një kujdes të veçantë për të mos lejuar abuzime. Gjithçka është në rregull vetëm kur ribëhen analizat dhe rezulton se nuk ka më përmbajtje antibiotiku. Komiteti Evropian ka shtuar aparaturat për të bërë kontrollin e ushqimeve, kryesisht për mishin, pasi morëm vesh se mishi i deles dhe i dhisë ka një tjetër sëmundje që ka dalë tani.
Detyrimisht, kontrolli i këtyre produkteve duhet të jetë i vazhdueshëm. Ne duhet t'ua bëjmë të qartë njerëzve që të analizohen me shumë përgjegjësi të gjitha produktet ushqimore, sepse kontrolli i sigurt bëhet vetëm përmes laboratorëve. Si mishi i vendit, ashtu edhe ai i importit, përdor antibiotikë te çdo bagëti dhe, po nuk kaloi ajo koha e duhur e eliminimit, është shumë e rrezikshme.
Duhet të kemi kujdes. Tani ka rënë edhe murtaja te dhitë dhe delet, ajo nuk ndikon direkt te njerëzit, por sërish mbetet një sëmundje veterinare dhe duhet bërë kujdes që të kontrollohen përmes aparaturave për t'u siguruar për produktin. Plot 10 ditë pas përdorimit të antibiotikut nuk duhet përdorur as qumështi dhe as mishi, sepse sëmundjet veterinare janë të rrezikshme për njeriun. Për të bërë këtë kontroll real, fillimisht na duhen laboratorët dhe specialistët.



