
Inceneratori i Tiranës është skandali më i madh i korrupsionit në Shqipëri, nëse hetohet siç duhet. Në studion e MCN Economy, gazetari Klodian Tomorri tha se skema e inceneratorëve i ngjan asaj piramidale.
Skema e inceneratorëve ka karakteristikat e një skeme piramidale. Merren paratë nga buxheti i shtetit dhe nuk dorëzohet produkt: një incenerator punon gjysmë (Elbasani), një nuk punon (Fieri) dhe një tjetër nuk ekziston (Tirana). Ajo që e bën të rëndë është procedura e përdorur për të prokuruar të tre objektet. U shpik një metodë që nuk ishte e parashikuar në ligj. Për këtë kemi pasur arrestime të zyrtarëve të lartë. Qytetarët shqiptarë e kanë të qartë që e gjitha kjo është një aferë e madhe korrupsioni. Pjesa më e madhe e gjithë kësaj historie është Tirana. Por deri tani nuk kemi hetim. A do të ketë në vijim apo do të kalojë në heshtje nuk e dimë. Nëse koncesioni i Tiranës hetohet në mënyrë të paanshme, në Shqipëri nuk ka më shtet.



