
Për herë të tetë me radhë, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet, për shkak të mungesës së votave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila për të gjashtën herë propozoi Albulena Haxhiun për postin e kryeparlamentares, sërish nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 votash.

Në një analizë për “MCN Live”, drejtori për Marrëdhënie Ndëretnike në Kosovë, Fatmir Sheholli, e cilësoi këtë dështim si një pengmarrje të demokracisë në vend.
Sot është hera e tetë që Kuvendi dështon të konstituohet.
Kjo situatë po kthehet në normalitet të rrezikshëm dhe qytetarët me të drejtë ndihen të zhgënjyer, jo vetëm me deputetët, por veçanërisht me partinë që ka dalë e para në zgjedhje dhe ende nuk arrin të formojë institucionet.
Demokracia në Kosovë po merret peng për shkak të inateve personale politike.
Është koha që përgjegjësit politikë të tejkalojnë interesat e ngushta dhe të lëvizin drejt funksionalizimit të institucioneve.
Sheholli theksoi se ngërçi aktual në parlamentin e Kosovës nuk mund të zgjidhet pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.
Pa ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë nga BE dhe SHBA, ky bllokim politik do të vazhdojë. Qytetarët janë duke paguar koston me vonesa në formimin e institucioneve dhe me humbje të besimit në sistemin demokratik.
Po përmend këtu mungesën e një ambasadori të plotfuqishëm amerikan në Kosovë që ka ndikuar në pasivitetin diplomatik, duke e lënë vendin pa një udhëzim të qartë ndërkombëtar në këtë periudhë krize institucionale.
Ne koston jemi duke e paguar tash e sa kohë. Edhe mungesa disa muaj e ambasadorit të SHBA në Kosovë, sepse këtu është një zëvendës ambasador, por jo fuqiplotë.
Dhe kjo ndodh kam përshtypjen, sa here ndodh të mos ketë ambasador këtu, po na sanksionon shume sepse nuk ka reagim, dhe sa here nuk ka prani të SHBA, nuk po jemi në gjendje të themelojmë institucionin e Parlamentit të Kosovës.



