Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi ka dalë sot përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku do të dëgjojë hetimet e kryera ndaj figurës së saj në tri kritere. Në trupën e KPK-së relator janë Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Lulzim Hamitaj. Ndërkohë, Selimi është e pranishme në seancë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në nisje të seancës është shprehur se hetimi ndaj Selimit është kryer në të tria kriteret, atë të figurës, pasurisë dhe aftësitë profesionale. Gjatë fazës së hetimit, ILDKPI ka konstatuar se deklarimi nga Selimi është i saktë dhe në përputhje dhe që s’ka konflikt interesash.
KPK ka kryer një hetim të thelluar ku rezultoi si në vijim: Tokë në Vlorë mbi të cilën është ndërtuar një pike karburanti e blerë nga bashkëshorti Shkëlzen Selimi dhe i ati i tij. Automjet të llojit “citroen”, apartament në Tiranë, dy depozita bankare me gjende 1 milionë dhe depozitë për marrje krediti. Lidhur me tokën në Vlorë, kjo pasuri është deklaruar në 2013 për herë të parë, zotërohej 50 përqind nga bashkëshorti i saj dhe 50 përqind nga babai i tij. Ajo është shitur për 250 mijë euro.
Skeda e pasurisë e gjyqtares Rilinda Selimi
Rilinda Selimi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar përgjatë një dekade si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2010, Selimi është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa prej vitit 2013 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtarja Rilinda Selimi deklaronte pasuri me vlerë 600 mijë lekë, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria familjare kap vlerën e 57.8 milionë lekëve.
Familja Selimi deklaron pasuri të patundshme me vlerë 45.7 milionë lekë, mes së cilave edhe një pikë karburanti në bashkëpronësi në Lungomare të Vlorës, likujditete bankare prej 5.6 milionë lekësh, automjet me vlerë 420 mijë lekë dhe kursime në cash prej 471 mijë lekësh. Gjyqtarja Selimi deklaron gjithashtu huadhënie në vlerën e 5.6 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare deri në fund të vitit 2017 janë 62.5 milionë lekë, nga të cilat paga e Rilinda Selimit zë rreth 21% të totalit, ndërsa paga e bashkëshortit të saj, ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi zë 28% të totalit. Të ardhurat nga pika e karburantit dhe nga qiratë zënë 40% të të ardhurave totale, ndërkohë që 7.8% e të ardhurave burojnë nga shitja e pasurive të patundshme.

(Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Apelit, Rilinda Selimi për vitet 2003-2017)



