
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka dekretuar tre ditë zie kombëtare në kujtim të 61 viktimave që humbën jetën në rrëzimin e avionit që ndodhi sot në Vinhedo të shtetit të Sao Paulos.
Avioni model ATR-72 me dy motorë në pronësi të kompanisë braziliane Voepass u ngrit pa probleme në orën 11.50 të mëngjesit nga aeroporti Cascavel, në shtetin Parana, në Brazilin jugor drejt aeroportit Guarulhos ku nuk mbërriti kurrë.
Avioni u rrëzua në kopshtin e një shtëpie në Vinhedo ku tre persona mbetën të padëmtuar.
Një grup pasagjerësh që mbërritën me vonesë nuk arritën të hipnin në fluturim në minutën e fundit.
“Është një mrekulli që jam gjallë dhe falënderoj zyrtarin që nuk më lejoi të hipja në bord”, tha njëri prej tyre për median vendase.
Ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë për të rikuperuar mbetjet, ekspertët kanë filluar të vënë në dyshim shkaqet e mundshme, përfshirë formimin e ngricave në krahë për shkak të rënies së shpejtë të temperaturave në shtetin e Sao Paulos.



