
Për zgjedhjet presidenciale në Siri, që do të mbahen pas rreth tre javësh, janë përzgjedhur vetëm dy kandidatë nga katër dyzina, të cilët planifikojnë të kandidojnë kundër presidentit të tanishëm Baschar al-Assad.
Gjykata Kushtetuese ua hodhi poshtë kandidaturën 48 kanadidatëve të tjerë në një vendim të shpallur ditën e hënë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë emëruar nga vetë Baschar al-Assad. Fitimi i zgjedhjeve prej tij me 26. maj duket i sigurt.
Gjykata Kushtetuese pranoi vetëm tre kandidatura për postin e presidentit, ndër to dhe vetë Assadin.
Kundër tij mund të kandidojnë vetëm ministri i mëparshëm Abdallah Sallum Abdallah si dhe Mahmud Marei, një pjesëtar i opozitës së “toleruar”. Kundërshtarët politik të Assadit, që jetojnë në ekzil, e konsiderojnë këtë opozitë të lejuar zyrtarisht si pjesë e aparatit të pushtetit të Assadit.
Gjykata hodhi poshtë të gjithë 48 kandidaturat e tjera për postin e lartë të shtetit me arsyetimin, se ato nuk i përmbushin kushtet kushtetuese dhe ligjore. Këta persona kanë të drejtë, që deri në fund të javës të apelojnë vendimin e marrë nga gjykata.
Shumë politikanë opozitar nuk kanë të drejtë të kandidojnë pasi, ligji parashikon, se duhet të kenë jetuar pandërprerë në Siri gjatë dekadës së fundit. Assadi është që prej 21 vjetësh në pushtet.
Në këto zgjedhje, ai kandidon për mandatin e katërt. Këto janë zgjedhjet e dyta presidenciale në Siri, që prej fillimit të luftës civile në vitin 2011. Gjatë konfliktit kanë vdekur më shumë se 388.000 persona dhe miliona njerëz janë detyruar të arratisen. / AFP / Përktheu: Ina Merlika /



