
Dy persona janë arrestuar sot nga Policia, pasi dyshohet se janë autorët e vënies së zjarrit në Shëngjin. Sipas informacioneve mësohet se dy personat janë, vënë në pranga dhe janë marrë në pyetje pasi dyshohet se ata kanë qenë autorët e zjarrit që ra dje në Shëngjin e dogji qindra pemë e kullota.
Sipas Policisë mësohet se pranga kanë rënë M.I. 34 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe A.U. 24 vjeç, banues në Shëngjin.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, rreth orës 21:45 datë 22 gusht, në Malin e Shëngjinit tek ” Lugu i Lemes”, dyshohet që i kanë vënë zjarrin malit me qëllim hapjen e kullotave për bagëtitë dhe prerjen e lëndëve drusore për shitje, zjarr i cili ka marrë përmasa duke djegur disa hektarë bimësi e pisha si dhe rrezikuar banesa e jetë njerëzish.
Veprat penale për të cilat akuzohen këta shtetas janë “Shkatërrim prone me zjarr” kryer në bashkëpunim’ parashikuar nga neni 151 – 25 i Kodit Penal.
Gjithashtu, u referuan materialet hetimore për procedim penal edhe ndaj shtetasit K.M. banues në Tresh – Lezhë, sepse dyshohet që i ka vënë zjarrin një sipërfaqe toke rreth 500 m2 ku nga zjarri është djegur edhe rrethimi me shkurre i stanit të bagëtive të tij.
Materialet procedurale hetimore në ngarkim të shtetasve lartpërmendur, u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.
Ndërkohë që mësohet se flakët ende nuk janë shuar plotësisht, por tashmë situata është më e qetë.
Në kurorën e gjelbër të Shëngjinit vijon puna për për mbajtjen nën kontroll të zjarrit të rënë prej dy ditësh.
Për shuarjen e tij po punojnë trupat dhe mjetet e Misionit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi (MZSH), pushteti vendor, Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se “asnjë banesë nuk është e rrezikuar, ndërkohë që, prej dy ditësh e netësh, FA me mjete e trupa nga Tirana e Shkodra dhe bashkia Lezhë janë në terren dhe do të jenë aty deri në shuarjen e flakëve”.
Sipas Ministrisë, aktualisht janë 200 efektivë nga strukturat e mësipërme të angazhuar për shuarjen e zjarrit në Shëngjin.



