Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi reformën zgjedhore, duke theksuar se sistemi më i mirë është proporcionali kombëtar me lista të hapura.
Nuk mund të jetë një Parlament i emëruar ku kryetarët e partive vendosin përmes listave. Duhet të garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duke patur parasysh nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, një proporcional kombëtar do garantonte një garë brenda subjekteve, dhe për të mos e parë Shqipërinë si copëza të vogla, por si shtet unitar, në shpërndarjen e fondeve... Kjo do minimizonte edhe efektet e manipulimit të zgjedhjeve. Lejon mundësinë e kandidimit të partive më vete. Duhet të shohim që jo vetëm të votojë emigracioni, por të ketë edhe shpërndarjen e tij në Kuvend”.
Mediu u shpreh se partitë e vogla garojnë më vete sa i takon këshillave bashkiakë, ndërsa shtoi se duhet të merren parasysh edhe kandidatë nga PR apo PAA, kur ofrojnë kandidatura fituese në krye të bashkisë.
Partitë dalin më vete në garën për këshillat bashkiake. Në garën për kryetar bashkie, nëse Republikania apo Agraria ofrojnë kandidatura fituese, nuk duhet të injorohen nga partia e madhe. S’duhet të vendosim kandidime fiktive, por reale që mund të bashkojnë qytetarët”.
Kreu i PR theksoi se koalicionet parazgjedhore duhet të lejohen, pasi e dëmtuan opozitën në zgjedhjet e fundit. Po ashtu Mediu vuri në dukje domosdoshmërinë për lejimin e votës së emigrantëve, ndërsa shkoi edhe më tej duke u shprehur se figura nga diaspora duhet të jenë pjesë e ekzekutivit të ri.
Është e nevojshme jo vetëm të lejohen koalicionet. PS e bëri në mënyrë të qëllimte dhe arriti që ta shkatërronte koalicionin tonë në opozitë. Krijoi dëm jo vetëm për LSI-në, por gjithë koalicionin. Këtë komoditet ia krijuam ne sepse lamë mandatet. Sa i përket votës së emigracionit, besoj që kjo duhet të jetë kërkesë konstante e opozitës. Jo vetëm të kenë mundësi të votojnë atje ku janë, por të kenë dy nivele përfaqësimi, në Kuvend dhe në ekzekutivin shqiptar, për të tejkaluar këtë politikë të vjetër, jo vetëm në moshë, por edhe në stil. Ka njerëz që kanë formim jashtëzakonisht të plotë dhe një qasje shumë herë më perëndimore se klasa politike në Shqipëri”.
Mediu tha se opozita shqiptare duhet të ketë qëndrime të përbashkëta për reformën zgjedhore dhe administrative, pasi dështoi në procesin për zgjedhjen e Presidentit.
E provuam gjatë zgjedhjes së Presidentit, ku në mënyrë foshnjarake u futëm në një proces ku dështuam tërësisht. Në reformën zgjedhore dhe administrative duhet të kemi një qëndrim opozitar të përbashkët. Duhet të shikojmë si garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kush është mundësia që opozita të krijojë një marrëdhënie sa më të drejta me qytetarët. Reforma zgjedhore është politike në radhë të parë, pastaj teknike”.



