Bordi i Transparencës ka ndryshuar çmimet e karburanteve. Përmes një njoftimi për shtyp, ky autoritet ka caktuar çmimet maksimale të shitjes me shumicë dhe pakicë për naftën dhe benzinën në të gjithë vendin.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 19 shtator 2026, çmimi i shitjes me pakicë për naftën e standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është kufizuar në jo më shumë se 207 lekë për litër.
Për sa i përket benzinës së standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është caktuar 195 lekë për litër, ndërkohë që shitja me shumicë nuk duhet të kalojë vlerën prej 183 lekë për litër.
Këto çmime të përcaktuara nga Bordi hyjnë në fuqi po sot, datë 19 shtator, duke filluar nga ora 16:00, dhe do të qëndrojnë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme ku do të pasqyrohen ndryshimet e radhës.
Bordi u ka tërhequr vëmendjen të gjithë operatorëve të shitjes me shumicë dhe pakicë mbi detyrimin për zbatimin e menjëhershëm të këtij vendimi, duke paralajmëruar se ndaj çdo shkelësi do të vendoset masa e pezullimit të aktivitetit.



