Presidenti i zgjedhur i SHBA Donald Trump dhe familja e tij mbërritën pasditen e kësaj të enjte në Uashington DC. Fillimisht zbriti nga avioni familja e presidentit të zgjedhur dhe ata që priteshin me më shumë kërshëri, Donald dhe Melania, vonuan disi, për të dalë prej avionit me një përshëndetje për ata që i prisnin në bazë.
Menjëherë pas mbërritjes në Uashington DC, Donald Trump postoi në rrjetin social “Instagram” një “selfie” të tijën duke dalë nga avioni, të shoqëruar me fjalët: “Sapo zbritëm me Melanian dhe familjen time. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Ju dua shumë dhe NE DO TA BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH!”.
Presidenti i zgjedhur është parë teksa linte kullën “Trump” në Nju Jork me autokolonën e tij mëngjesin e së enjtes, teksa për destinacion kishin shtëpinë e tyre të re në “1.600 Pennsylvania Avenue”.
Vetëm pak minuta më vonë, ai mbërriti në Aeroportin “LaGuardia”, nga ku kreu të parin fluturim qeveritar, duke qenë tashmë komandant i përgjithshëm ushtarak, pasi në të kaluarën kishte udhëtuar me avionin e tij privat e për herë të fundit mbrëmjen e djeshme.
Trump zbriti në Uashington DC, pasi mbrëmjen e kësaj të enjteje do të marrë pjesë në koncertin përurues të tij. Më pas, ai do të vizitojë varrezat kombëtare të Arlingtonit, për të folur më tej në Memorialin e Lincolnit. Koncerti me muzikë “country” do të pasojë me hedhjen e fishekzjarreve, ndërsa të premten pasdite ai do të betohet edhe zyrtarisht si president i Shteteve të Bashkuara.



