Kanosja ndaj prokurorit Dado/ Lala: Strategji e Erion Veliajt për largimin e tij nga çështja

Kanosja ndaj prokurorit Dado/ Lala: Strategji e Erion Veliajt për largimin e tij nga çështja

Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin "Te Paekspozuarit" në MCN diskutoi zhvillimet lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ajo theksoi se pas arrestimit të Veliajt, ky i fundit ka përdorur një gjuhë të papranueshme ndaj prokurorëve, duke përfshirë fjalë si "vrasës me pagesë", veprim që mund të konsiderohet kanosje ndaj autoriteteve ligjore.

Gjithashtu, lidhur me deputeten e PS, Klotilda Bushka e paraqitur sot në SPAK, tha se ajo ka dhënë shpjegime si person nën hetim, për dyshimet se ka intimiduar një dëshmitare në çështjen ndaj Veliajt.

“Deputetja e Partisë Socialiste dhe kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë shpjegime si person nën hetim dhe jo thjesht si person në dijeni.

Sipas burimeve, Bushka ka qenë e shoqëruar nga avokati Enrik Ligori dhe është marrë në pyetje për dyshimet se ka intimiduar një dëshmitare në çështjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Prokuroria dyshon se ajo ka ndikuar në mënyrën se si dëshmitarja do të dëshmonte në SPAK.”

Ndërkohë janë ngritur dyshime se kompanitë e lidhura me Ajola Xoxën kanë përfituar fonde, përfshirë ato të Bashkimit Europian, dhe hetimet po vazhdojnë për të verifikuar këtë informacion. Prokuroria e Posaçme është duke analizuar situatën dhe mundësinë për ngritjen e akuzave të reja ndaj personave të përfshirë.

“Ka dyshime të arsyeshme sipas prokurorëve që kompani të kontrolluara nga Ajola Xoxa kanë marrë fonde. Po ta shikosh me kujdes hetimet, rezulton edhe një fond i Bashkimit Europian, pra fonde që janë përfituar nga kompanitë e lidhura me Ajola Xoxën.

Përveç fondeve që kanë të bëjnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë edhe fonde të Bashkimit Europian që janë marrë në bashki të tjera, siç është rasti pranë Bashkisë së Fierit. Ky është një hetim, ose më saktë, një verifikim që po kryhet aktualisht nga prokurorët e posaçëm."

Lala theksoi se Veliaj po ndjek një strategji për të detyruar prokurorin të ankohet, një veprim që mund të çojë në largimin e tij nga dosja. Po ashtu, gazetarja komentoi edhe pretendimet e Veliajt për fjalët që janë përdorur në seancat gjyqësore, duke vënë në dukje se ky proces mund të çojë në hetime për falsifikim të provave.

“Kanosja ndaj prokurorit është një vepër penale e cila ndiqet me ankimin e prokurorit. Çka do të thotë që nëse Olsi Dado i drejtohet nesër institucioneve, duke pretenduar që është kanosur, automatikisht ai duhet të japë dorëheqjen ose të largohet nga çështja. Duke e ditur këtë dhe duke u këshilluar me avokatët, zoti Veliaj po ndjek këtë strategji me qëllim për ta detyruar prokurorin të ankohet ndaj tij, çka mund të përbëjë shkak për largimin e tij nga dosja.

Deri më tani, Zoti Dado i ka përballuar të gjitha presionet dhe është duke qëndruar në detyrë, duke vijuar me marrjen e provave dhe dëshmive. Sigurisht, gjuha është e papranueshme, por unë do të ndalem vetëm në një pikë. Veliaj ka pretenduar ditën e sotme, ose ka publikuar një transkript të zbardhur nga ana e mbështetësve të tij, ku pretendohet se gjatë seancës së datës 12 shkurt për komunikimin e masës së sigurisë, prokurori i është drejtuar atij me fjalën "ndyrësirë".

Veliaj pretendon se këtë fjalë e ka zbardhur nga audio, pasi seancat në gjykatë regjistrohen me audio. Prokuroria dhe gjykata e mohuan kategorikisht këtë fakt, duke thënë se seanca ka qenë e tensionuar dhe është raportuar si e tillë, por në asnjë moment të vetëm gjatë dëgjimit të audios apo këqyrjes së procesverbalit nuk rezulton që prokurori ta ketë përdorur këtë shprehje. Ka një version audio i cili është deri diku i paqartë, por prokuroria në komunikimin e fundit ka deklaruar se do ta analizojë atë. Prokuroria e posaçme dhe gjykata e posaçme janë duke shqyrtuar mundësinë e ngritjes së një akuze të re ndaj Zotit Veliaj për falsifikim.

Audioja e hedhur në publik do t'i nënshtrohet një akt-ekspertimi për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje të mundshme. Pavarësisht versioneve që qarkullojnë, duhet të kemi parasysh që audion origjinale e disponon Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky sistem është i tillë që nuk mund të ndërhyhet, pasi lë gjurmë. Nëse audioja origjinale në sistem do të jetë e ndryshme nga ajo që qarkullon në publik, kjo përbën premisë për një akuzë të re ndaj Veliaj për tentativë për të manipuluar provat.

Unë nuk jam në gjendje të them se cili version është i saktë, por çelja e një hetimi të ri dhe fakti që sistemi nuk menaxhohet nga gjykata, por është i implementuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, tregon se është një sistem që mund të kontrollohet dhe verifikohet lehtësisht për ndërhyrje të mundshme. Pra, kjo është strategjia që po ndjekin prokurorët në raport me atë çfarë pretendon Veliaj.”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy