Çështja e Fredi Belerit ka krijuar tensione mes Shqipërisë dhe Greqisë. CNN grek që shkruan se Greqia i ka paraqitur Coperer-it (komiteti i përfaqësuesve të përhershëm të vendeve anëtare në BE ), një rezervë të shprehur në lidhje me ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.
Lidhur me këtë, politologu Ilir Kalemaj në ‘MCN Live’ u shpreh se kemi çështje të cilat janë kushtëzuar nga marrëdhëniet ndërkombëtare. Ai tha se Greqia e quan burgosje politike çështjen e Belerit dhe se nuk janë duke kërkuar lirimin, por betimin e tij.
Natyrisht që kemi pasur marrëdhënie bilaterale që janë kushtëzuar nga shtete fqinje, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut. E njëjta gjë po ndodh tani me Hungarinë dhe Ukrainën. Rasti konkret nuk është çështje kardinale thellësisht politike. Nuk bëhet fjalë as për pretendimet e ngritura nga Greqia në të kaluarën, siç është çështja e minoritetit apo çështja e shumëpërfolur si ajo e varrezave greke.
Kjo është një çështje e cila ka në zanafillë të saj atë që Greqia e quan një burgosje politike, sepse realisht ne nuk kemi të burgosur të tjerë në nivele kaq të larta për krime zgjedhore. Por përtej gjithë kësaj, Greqia nuk kërkon lirimin e Belerit, por betimin e tij në detyrë dhe mendoj se kjo mund të realizohet me një vendim të ri të gjykatës kushtetuese, por Rama me kokëfortësi e kundërshton këtë duke ngrirë marrëdhëniet mes dy vendeve duke reflektuar në atë që Greqia nuk firmos procedurën e çeljes zyrtare për negociatat.
Më tej ai shtoi se nëse Greqia i qëndron me kokëfortësi kësaj gjëje vetoja vazhdon.
Të gjithë vendet kufitare kanë qenë vende entuziaste për mbështetjen e vendeve të tyre fqinje. Ndërkohë që për Shqipërinë ka qenë Italia shumë herë më shumë entuziaste se sa Greqia, madje kjo e fundit herë pas here e ka kërcënuar me veto, siç është rasti i të drejtave të minoriteti grek.



