
Presidenti rus Vladimir Putin ka mbërritur në Kinë. Putin, avioni i të cilit u ul në aeroportin e Pekinit rreth orës 09:30 me orën lokale (03:30 me orën tonë), ndodhet në vizitën e tij të parë në një fuqi të madhe globale që nga urdhri i arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të dyshuara lufte në Ukrainë.
Ai do të takohet me homologun kinez Xi Jinping, të cilin e ka takuar më shumë se 40 herë në dhjetë vitet e fundit.
Udhëheqësi rus do të marrë pjesë, si i ftuar nderi, në forumin e tretë mbi Iniciativën Belt and Road të planifikuar për ditën e sotme dhe nesër në Pekin, sipas asaj që raportohet nga kanali në gjuhën angleze CGTN, pjesë e rrjetit publik kinez CCTV.
Në njoftimin e bërë nga Moska të hënën, Putin do të ketë bisedime dypalëshe me Xi-n me qëllim forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe një miqësie personale “të pakufishme”, pavarësisht pushtimit të Ukrainës që e ka futur Rusinë në izolim ndërkombëtar.
Krahas luftës kundër Ukrainës, në axhendën e dy liderëve është edhe konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, për të cilin Putin synon të thyejë izolimin ndërkombëtar duke u propozuar si ndërmjetës, duke pasur parasysh marrëdhëniet me liderët e botës islame.



