Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe shpjegon atë që po qarkullon ditëve të fundit se automjetet do të bllokohen nëse nuk paguajnë gjobat brenda 30 ditëve.
Ai thotë se ndryshimet janë me fokus dhe me theks në uljen e angarive për qytetarët si dhe koston e shpenzimeve si në lekë dhe kohë.
Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se jehona bëhet për gjobat për ndërrimin e pronësisë, në mënyrë që t’u jepet më shumë kohë nga 10 ditë në 30 ditë, afatit për ndërrimin e pronësisë.
Është me rëndësi për sigurinë publike, rrugore, për të mbrojtur shitësin, në mënyrë që gjoba të mos ngarkohet te shitësi. Gjoba i referohet blerësit i cili vonohet mbi 30 ditë në kalimin e pronësisë. Është një nga ligjet e mirëshkruara dhe të pazbatuara në vite. Një pjesë e mirë e neneve të kodit rrugor, aplikoheshin sipas midesë së palëve dhe jemi përpara një situate ku kemi pasur një problematikë të theksuar, që lidhen me vepra penale dhe kriminale, që edhe pas 6-7 shitjes mbetet në ngarkim të shitësit të parë. Ka nisur aplikimi prej këtij viti. Kjo është pjesë e praktikës prej vitesh dhe kur bëheshin shitje-blerje te noteri, neni ishte prej 10 ditësh. Aplikimi i gjobës ka qenë një element që trajtohej politikisht. Kjo gjë nuk mund të vazhdonte më, kemi një situatë 803 mijë mjete aktive në rrugë. Edhe nga pikëpamja e kontrollit rrugor, tatimore, fiskale e detyrimeve, nuk përballohen dot nëse pronarët e automjeteve nuk paguajnë dot detyrimet vjetore. Nuk i mbledhim dot, nëse nuk kemi pronësinë e saktë të automjetit. Taksa e posedimit të mjetit është 25% e bashkive dhe pjesa tjetër arkës së shtetit, që përkthehet në investime, ndërsa taksa e qarkullimit paguhet në karburant.
Lidhur me bllokimin e mjeteve, ai sqaroi se nuk ka ndonjë aksion, por tha se operacioni është në zbatim nga DPSHTRR, ku qytetarët mund të informohen për detyrimet e tyre.
Sipas tij, gjoba ngarkohet tek blerësi në mënyrë automatike në sistem, nëse shitësi bën çlirimin e tij me anë të dokumentacionit që ka.
Gjoba ngarkohet automatikisht kur plotësohen 30 ditët, nëse ka një dokument noterial, për tejkalim të afatit 30 ditor. Çdo gjë bëhet në sistem dhe jo me bllokimin e mjeteve në rrugë. Qytetarët të kenë kujdes kur bëjnë blerjen e mjetit. Te DPSHTRR mund të bëhet shit-bljerja me ¼ e vlerës që kryhet te noteri dhe azhornimi bëhet direkt. Gjoba është 10 mijë lekë të reja deri në 40 mijë të reja, në progresion. Nga 10 ditë në 30 ditë, gjoba është 10 mijë lekë të reja, nëse nuk bëhet kalimi i pronësisë. Nëse kalon dhe viti aplikohet gjoba e plotë dhe aplikohet edhe nga policia.



