Eksperti i Ekonomisë Igli Tola duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se është shqetësuese që paga në Shqipëri është larg mesatares së rajonit, kur strukturat ekonomike në Ballkan nuk janë shumë të ndryshme. Sipas Tolës shqetësimi kryesor për vendin tonë nuk është inflacioni, që është i përkohshëm, por struktura ekonomike që është e brishtë dhe pa fibër. Tola vuri në dukje se Shqipëria është e orientuar drejt sektorëve kaotike dhe sezonalë si bujqësia dhe turizmi, dhe nuk ka një strategji afatgjatë.
Shpërblimi i krahut të punës, paga, është në nivele të pakrahasueshme me vendet e rajonit, të mos flasim pastaj për standardet europiane. Është shqetësues fakti që Shqipëria është shumë larg mesatares së rajonit, ku fqinj si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë paga shumë herë më të larta se sa në vendin tonë, duke pasur parasysh që struktura ekonomike nuk e kemi shumë të ndryshme nga këto vende, kjo tregon që në vendin tonë kanë çaluar reformat sistemike në tregun e punës edhe suporti ndaj biznesit dhe sipërmarrjes.
Pa i dhënë një hov biznesit, duke e mbështetur, qoftë përmes ndihmës dhe suportit direkt, do jemi në këto kushte, ku barrën e vuan çdo qytetar. Shqipëria është vendi që pjesën më të madhe e çon për shpenzime utiltare. Mbi 41 për qind e të ardhurave shkojnë për shpenzime bazike, të mos flasim për familjet e varfra nën 500 euro. Faktorët dhe arsyet janë të shumtë, por minimialisht duhet të kishim një nivel page të krahasueshëm me vendet e rajonit. Të mos flasim për pensionet që janë në nivel qesharak. Duhet një reformë e mirëfilltë në këtë sektor.
Një trajtim më i mirë i punonjësve në sektorin publik dhe privat, do të bënte që qytetarët të ndihen më të kënaqur, dhe të zhvillojnë aktivitetin në vendin e tyre. Vlera e inflacionit është afërisisht 11,4 për qind dhe premisat për muajit në vijim, tentojnë të jenë në këto ujëra, këto janë tregues që provojnë atë e prekim përditë, ka një mungesë punonjësish, por nga ana tjetër është problemi i pagesave që janë të pamjaftueshme për pagesat në vendin tonë. Parashikimet janë që krizat po arrin në nivele maturiteti dhe parashikohet që inlfacioni të mos kalojë këto vlerë, duke tentuar që në 6 mujorin e dytë të ketë shfryrje të inflacionit në mënyrë graduale. Në vendin tonë është një krizë e importuar, sepse është një vend me dominim të importeve. Në realitetin shqiptar nuk është shqetësimi më i madh inflacioni. Shqetësimi është te struktura ekonomike, me fibër të brishtë, e orientuar nga sektorë kaotikë dhe të paorientuar si bujqësia dhe turizmi, që janë sektorë sezonalë. Nuk kemi zhvillim të studiuar dhe një strategji afatgjatë. Zhvillimi kaotik reflektohet edhe në tregun e punës. Shqipëria është jo vetëm vendi me pagën më të ulët në rajon, por edhe vendi me produktivitetin më të ulët të punës. Inflacioni zgjat disa muaj dhe zgjidhet por çfarë do bëjmë me zhvillimin ‘long term’?!”
Tola tha se e sheh të vështirë që çmimet të shkojnë në normalitetin e para krizës edhe nëse zgjidhet kriza në Ukrainë. Sa i takon rritjes së vlerave të kredive, nga 10 deri në 11 dhe 13 për qind, Tola tha se ato bëjnë që biznesi të frenohet sa i takon investimeve, mbajtjes së stafit, likuiditetit. Ai shton se goditje marrin edhe të ardhurat e qytetarëve, tek të cilët kredia zë një kosto më të madhe në portofol.



