Dobësimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni kohët e fundit po bëhet fakt i dukshëm. Nga një vëzhgim i zhvillimeve dhe publikimeve në vendin fqinj, rezulton se në Maqedoni po tentohet të përsëritet skenari i shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, në sensin e përçarjes në shumë parti politike, ku deri më tani janë në garë elektorale (7-8-10 parti). Po tentohet imponimi i konceptit “Çdo qytet të ketë partinë e vet, kjo për t’u marrë me problemet lokale. Rrjedhimisht, para çdo prag zgjedhjesh ndër shqiptarët në Maqedoni formohen parti si kërpudha pas shiut. Të njëjtat zhduken menjëherë pas zgjedhjeve. Me këtë synohet pakësimi i numrit të deputetëve shqiptarë në çdo legjislaturë të Parlamentit, për shkak të sistemit të votimit “Dont-it” që favorizon partitë e mëdha (vetëm në Njësinë VI votat që digjen i shkojnë partisë shqiptare. Në pesë të tjerat votat shqiptare të “djegura” u shkojnë forcave maqedonase). Këto zgjedhje në Maqedoni ngërthejnë dy tendenca të rrezikshme:
-Neutralizimin (zhbërja) e mekanizmit të shumicës së dyfishtë-parimit të Bedenterit që mbrojnë çështjet që kanë të bëjnë vetëm me shqiptarët. Kjo për shkak të rritjes së kandidatëve nga radhët e minoriteteve në listat e partive maqedonase, përfshirë këtu edhe shqiptarë (të fundit në listat e LSDM-së). Fitorja e tyre dobëson elementin shqiptar në këtë mekanizëm.
-Këto zgjedhje mëtojnë imponimin e “islamit politik”, respektivisht institucionalizimin e tij në shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Kjo bëhet përmes një morie “shoqatash humanitare” apo jo qeveritare në lëvizje-parti politike. Shoqatat e financuara kryesisht nga Lindja, pra vendet arabe dhe Turqia, kanë vepruar gjatë 20 viteve të fundit dhe ia kanë dalë të imponohen mirë ndër popullatën shqiptare (bartëse të botimeve islame, sigurimit të bursave për shkollim të mesëm e të lartë, në Maqedoni dhe vendet arabe). Gjithashtu ka financime të dyfishta dhe fushata të shtrenjta.



