
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thirrur për sot mbledhjen e parë të Kryesisë së legjislaturës së shtatë të Kuvendit, në kohën kur dy partitë kryesore Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje finale për formimin e qeverisë së re të vendit.
Në rendin e ditës janë tri pika – shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore-SEECP, shqyrtimi i kërkesës për caktimin e delegacionit të Kuvendit të Kosovës për përfaqësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave. Ndryshe, Glauk Konjufca u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor.
Me gjithë themelimin e legjislaturës së 7-të të Kuvendit të Kosovës, ende nuk është formuar qeveria e re. Negociatat deri më sot kanë dështuar, pasi LDK ka kërkuar që të marrë kreun e Kuvendit, Presidentin dhe 5 ministri, pra gjysmën e kabinetit. Pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar Kuvendi, LDK u tërhoq nga marrja e këtij posti dhe shprehu gatishmërinë për një marrëveshje të re, duke kërkuar sërish 5 ministri dhe Presidentin. Ndërsa Kurti në ofertën e tij më të fundit kërkon që të shtohen edhe 2 ministri, nga 12 sa ishin rënë dakord më parë, tani të bëhen 14 ministri, ku 6 ministri do t’i ketë LDK, 5 LVV dhe 3 minoritetet.



