Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovës ka shpallur rezultat preliminare të katër komunave në veri të vendit ku dje u mbajtën zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Për herë të parë që nga pavarësia e vendit, katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, siç janë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqit do të udhëhiqen nga kryetarë të nacionalitetit shqiptarë.
Sipas rezultateve zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vetëvendosje ka fituar në Komunën e Mitrovicës së Veriut me kandidatin Erden Atiq dhe atë të Leposaviqit me Lulzim Hetemin. Ndërkaq, PDK-ja ka fituar Zvecanin me Ilir Pecin dhe Zubin Potokun me Izmir Zeqirin.
Ky rezultat erdhi si pasojë e bojkotit të zgjedhjeve, nga Lista Serbe, e cila në të kaluarën fitonte mbi 90% të votës, në pjesën veriore të vendit.
Pas bojkotit të tyre, procesi u injorua edhe nga qytetarët e nacionalitetit serb, duke bërë që dalja të jetë tejet e ulët. Sipas KQZ-së, nga mbi 45 mijë qytetarë të cilët kanë të drejtë vote, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar vetëm 1567 prej tyre.
Këtij rezultati i ka kontribuar edhe shteti i Serbisë, të cilët u kanë bërë presion serbëve të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Pas publikimit të rezultateve, nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë deklaruar se dy kandidatët e tyre që i kanë fituar zgjedhjet, do të qeverisin në mënyrë të drejtë për të gjithë qytetarët pa dallim kombësie apo partie,
Teksa edhe kreu i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i ka falënderuar qytetarët që e kanë votuar PDK-në dhe ka potencuar se e rëndësishme ka qenë që procesi ka qenë i rregullt dhe i qetë. Por, sipas tij mbetet shqetësues fakti i numrit të vogël të qytetarëve që kanë votuar.
Kandidatët e zgjedhur në komunat e veriut do të kenë mandat rreth dy vjet e gjysmë.
Gjithsej 19 qendra të votimit i kanë shërbyer procesit zgjedhor, 6 nga to kanë qenë në objekte të zakonshme ku janë mbajtur zgjedhjet edhe më herët e 13 të tjera në objekte alternative, apo kontejnerë.



