Vdekja e një fëmije 3 vjeç e tetë muajsh në janar të këtij viti në një spital Modena të Italisë ka bërë që policia të niste hetimet ndaj nënës, së tij, një 27-vjeçare moldave. Kjo e fundit është paraqitur në spital, ku u ka thënë mjekëve se vogëlushi kishte një problem gastrik.
Por analizat dhe më pas autopsia nxorën se fëmijës i ishte dëmtuar mukoza që vesh stomakun, çka kishte bërë që ushqimi të dilte jashtë dhe të bëhej shkak për një infeksion të rëndë, që më pas çoi në vdekje.
Por muajt e fundit hetimet kanë zbuluar se një dëmtim i tillë mund të shkaktohet vetëm nga goditje të jashtme. Nëna e ka pranuar se e kishte dhunuar disa herë fëmijën, por karabinierët kanë dyshime edhe për bashkëjetuesin e saj, një 38-vjeçar shqiptar, i cili nuk rezulton të jetë babai i fëmijës.
Dyshimet kanë lindur pasi vetë 38-vjeçari gjatë marrjes në pyetje ka marrë përsipër të gjithë përgjegjësinë për atë që i ndodhi vogëlushit.



