
Ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni ka mbërritur ditën e sotme në GJKKO, për vlerësimin e masës së sigurisë.
Hyseni akuzohet për "nxjerrje të sekretit shtetëror" dhe "përkrahje të autorit të krimit".
Por sot para GJKKO, Hyseni ka refuzuar t'iu përgjigjet gazetarëve, por ka sulmuar njërën prej tyre duke thënë, "A ke qenë në takime me agjentë serbë në dhomat e hotelit?".
Kjo sjellje ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi etikën dhe integritetin e një ish-zyrtareje të lartë të sigurisë kombëtare.
I ftuar në "MCN Live", gazetari Mariglen Kume e ka cilësuar këtë reagim si një tregues të qartë të degradimit të profilit të saj.
Kjo tregon se çfarë kostumi të madh i kemi vendosur një njeriu kaq të vogël.
Një drejtuese e SHISH nuk mund të fliste në këtë mënyrë.
Ka qenë drejtuese e SHISH, një institucion shumë i rëndësishëm, aq më tepër edhe për faktin se jemi vend anëtar i NATO-s dhe kemi aspirata për të përmbyllur kapitujt në BE.
Ka një detaj aty që unë besoj se zonja Hyseni në drejtim të hetimeve nuk duhet të mbetet thjesht në përkrahje të grupit të strukturuar kriminal, nëse hetimet do të vijojnë me të njëjtin seriozitet do të dalin të dhëna të tjera.
Një ndër informacionet e tjera që qarkullon, që është makina Audi me të cilën është arrestuar z. Agasi ose mjeti i shërbimeve sekrete i është vendosur z. Agasit me të cilin lëvizte, dhe kjo nuk është vetëm 'fikje radarësh'".



