E dashur Brigitte Macron, faleminderit që theve të gjitha tabutë

E dashur Brigitte Macron, faleminderit që theve të gjitha tabutë

Nga DENISE PARDO

Është e vështirë të thuhet nëse do të kthehet në idhull sepse është e tillë tashmë për të gjitha arsyet që kanë mbushur faqet e gazetave të të gjithë botës. Ndërsa mbetet për t’u parë në Elize, Brigitte - pasardhëse e familjes së njohur në fushën e prodhimit të çokollatave, Trogneux, ish-mësuesja e teatrit e Emmanuel Macron në adoleshencë dhe më pas gruaja e tij – ka arritur të thyejë të gjitha tabutë.

Ishte diferenca në moshë me presidentin e ri, plot 24 vjet, ajo që e vuri menjëherë nën dritën e prozhektorëve të medias. Por tashmë është fakt se fati i saj shenjon marrëdhëniet në shkollat e Alpeve dhe mund të bëhet fillimi i një “epidemie”.

Tani e tutje, cila nënë do të ketë kurajën për t’i prerë hovin simpatisë së zjarrtë të fëmijës së saj minoren me mësuesen e tij? E nëse do të ketë dëshirën e zjarrtë për t’i dhënë një shpullë mësueses që ia ushqen këtë simpati, me siguri do të sjellë ndërmend sesi edhe i biri, njësoj si Macron, mund të bëhet milioner, ministër e në fund edhe president.

Falë Brigitte dhe thyerjes që ajo u bëri konvencioneve shoqërore, mësueset 40-vjeçare të Francës bëhen më koketa, shkruajnë gazetat e provincave franceze. Votueset e Macron janë të elektrizuara nga roli seksi dhe pasionant që u ka dhuruar presidenti i ri, duke mos e menduar se do të jetë pikërisht Macron ai që, me politikat e reja për të punësuarit, do të ndryshojë kushtet bujare të punës që Franca u ka garantuar mësuesve.

Ka mjaftuar shndërrimi i një “marrëdhënieje të rrezikshme” në një martesë borgjeze për ta vënë Zonjën e Parë në të njëjtin rresht me De Beauvoir, Bardot, Moreau, Sagan, francezet e njohura për qëndrimet e tyre feministe.

Por Brigitte Macron ka shkuar më tej. Ajo arriti të kundërshtonte “të shenjtët” e letërsisë franceze si Maupassant, Flaubert, Balzac, të cilët, në veprat e tyre, femrat që josheshin apo joshnin djem më të rinj në moshë, i dërgonin në kuvendet e murgeshave.

“Ajo ka diçka që i ngjan Madamme de Staël”, shkruan “Le Parisien”, e cila është treguar e hidhur në shkrimin për Zonjën e Parë, të cilës i referohet si “kjo mësuese e vjetër”, apo “60-vjeçarja”, fjalë që nuk janë përdorur kurrë për Bernadette Chirac, e cila ka hyrë në Elize si Zonjë e Parë në të njëjtën moshë.

Në 60 vitet e komplikuara të jetës së Brigitte - mosha e arsyes, por edhe e ndjenjave – nuk mund të mos zërë vend edhe ankthi se a do të bëjë figurë të mirë, a do të mund të tërheqë mbi vete shikimet e publikut dhe dritat e reflektorëve.

Zonja e Parë ka një pasion francez për fundet e ngushta mbi gju dhe takat e larta. Dhjetë vjet më parë, fustani që kishte zgjedhur për ceremoninë e martesës i shkonte mbi gjysmën e gjatësisë së kofshës, një gjatësi që as Carla Bruni, top modele dhe me një jetë mjaftueshëm aventuroze, nuk do t’ia lejonte vetes.

Pasi ka thyer të gjitha rregullat dhe ka hedhur në erë skemat tradicionale, vëmendja më e madhe për Zonjën e Parë është ajo e natyrës që ka marrëdhënia e saj me presidentin (ajo bën rolin e mamsë, këshilltares, drejtueses – ai nuk bën asnjë hap pa të). Çfarë ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur ai u zgjodh president? Ishte ajo që i puthi dorën atij dhe jo e kundërta. Një akt dashurie, mbështetjeje dhe respekti për presidentin e ri… Interpretimet ishin nga më të ndryshmet, por mbetet për t’u parë se si Macron do ta ndryshojë statusin e Zonjës së Parë për t’iu përshtatur të shoqes. Kjo mbi të gjitha do të jetë një tjetër tabu që bëhet copë e çikë. / L'Espresso / Përshtati: Gazmira Sokoli /

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy