
Njerëzit me presion të lartë të gjakut që marrin paracetamol mund të rrisin rrezikun e sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, tregon një studim.
Mjekët duhet të mendojnë për rreziqet dhe përfitimet për pacientët që e marrin për shumë muaj, thonë studiuesit e Universitetit të Edinburgut.
Marrja e qetësuesve për dhimbje koke dhe ethe është e sigurt, theksojnë ata. Ndërkohë ekspertë të tjerë thonë se nevojiten kërkime në më shumë njerëz për një periudhë më të gjatë kohore për të konfirmuar gjetjet.
Paracetamoli përdoret gjerësisht në mbarë botën si një ilaç afatshkurtër për dhimbjet, por gjithashtu përdoret dhe për të menaxhuar dhimbjet kronike, pavarësisht nga dëshmitë e pakta të përfitimit të tij për përdorim afatgjatë.
Gjysmë milion njerëzve - një në çdo 10 - në Skoci iu dha ilaçi kundër dhimbjeve në 2018.
Presioni i lartë i gjakut prek një në çdo tre persona në Britani.
Studimi gjurmoi 110 vullnetarë, dy të tretat e të cilëve merrnin ilaçe për presionin e lartë të gjakut ose hipertensionin.
Në një provë të rastësishme, atyre iu kërkua të merrnin 1 g paracetamol katër herë në ditë për dy javë - një dozë e zakonshme për pacientët me dhimbje kronike - dhe më pas pilula bedel, ose placebo, për dy javë të tjera.
Prova tregoi se paracetamoli rrit presionin e gjakut, "një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për sulmet në zemër dhe goditjet në tru" - shumë më tepër se një placebo, tha farmakologu klinik i Edinburgut Prof James Dear.
Studiuesit këshillojnë mjekët që tu japin pacientëve me dhimbje kronike me një dozë sa më të ulët të paracetamolit dhe të monitorojnë tek ata presionin e gjakut.
Artriti është një nga shkaqet më të mëdha të dhimbjeve kronike në Britani. Një organizatë bamirëse, Versus Arthritis, tha se nevojiteshin ilaçe më të sigurta për të trajtuar dhimbjen, si dhe ndihmë të tjera, të tilla si mbështetja e shëndetit mendor dhe inkurajimi për të qenë fizikisht aktiv. "Nëse jeni të shqetësuar për rreziqet nga ilaçet kundër dhimbjes, duhet të flisni me një profesionist të kujdesit shëndetësor për të eksploruar opsionet tuaja." tha Dr Benjamin Ellis, konsulent reumatolog në Versus Arthritis.
Një studim i madh amerikan më parë zbuloi një lidhje midis përdorimit afatgjatë të paracetamolit dhe rritjes së rrezikut të sulmeve në zemër - por nuk mund të provonte se njëri shkaktoi tjetrin. Dhe studime të tjera më të vogla nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë lidhjen.
Ekipi i Edinburgut tha se ata nuk mund të shpjegonin se si paracetamoli rriste presionin e gjakut, por gjetjet e tyre duhet të çojnë në një rishikim të recetave.
Këta më parë konsideroheshin më të sigurt se qetësuesit kundër dhimbjeve jo-steroide, si ibuprofeni, të cilët mendohet se rrisin presionin e gjakut tek disa njerëz.
Fondacioni Britanik i Zemrës, i cili financoi studimin, tha se mjekët dhe pacientët duhet të rimendojnë rregullisht nëse nevojitet ndonjë mjekim, qoftë edhe diçka "relativisht e padëmshme si paracetamoli".



