
Komandanti i KFOR-it ka deklaruar se më 29 maj KFOR-i kishte “parandaluar një masakër dhe kishte shpëtuar 15 policë kosovarë në Veri”. Deklarata e general-majorit Angelo Ristuccia, u bë gjatë një interviste për agjencinë italiane të lajmeve “AGI”. “Falë profesionalizimit të njerëzve tanë në KFOR, që u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe zbatuan rregullat në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër. Ne arritëm t’i ndajmë dy palët dhe të shpëtojmë 15 policë të bllokuar në turmë”, tha Ristuccia. “Arsyeja pse situata nuk përshkallëzoi më tepër më 29 maj, ishte fakti se ishim të përgatitur shumë mirë. Ushtarët tanë vepruan në mënyrë shumë profesionale dhe dëshiroj të shprehi mbështetjen time të plotë për të lënduarit dhe familjet e tyre. Ata vepruan shumë profesionalisht, sa që arritën të menaxhonin që të mos përshkallëzohet situata, kështu që shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam përplasjen e dyja palëve, përndryshe do të duhej të merreshim me probleme krejt ndryshe”, vijoi ai.



