Deputeti socialist Bardhyl Kollçaku krijimin e njësisë ushtarake për sigurinë kibernetike, e sheh si njësi të mbrojtjes kibernetike ndaj sulmeve që mund të bëjnë kundërshtarët, që mund të jenë shtete terroriste, për të marrë informacione ndaj Shqipërisë, mund të jenë dhe grupe hakeruese, aktorë që nuk përfaqësojnë një shtet të caktuar, por që për arsye qoftë financiare dhe pirateske mund të sulmojnë rrjetet tona.
Duke folur për MCN Live, Kollçaku tha se në ministrinë e Mbrojtjes ka disa rrjete, pasi aty kalon rrjeti i NATO-s, rrjeti i Forcave të Armatosura dhe rrjetet e hapura komerciale.
Në bazë të klasifikimit të rrjeteve dhe informacionit që kalon në to ka nivele të ndryshme klasifikimi dhe një nga këto është rrjeti i klasifikuar sekret ku kalon informacioni i rëndësishëm i NATO-s dhe BE për Forcat e Armatosura.
Lajmi i mirë është se rrjetet e sigurta të Forcave të Armatosura, ku kalon informacioni i NATO-s dhe BE, nuk është prekur. Por edhe ndaj tyre ka pasur sulme të vazhdueshme.
Përballemi me mijëra sulme të nivele dhe shkallë të ndryshme të cilat nuk kanë vënë në rrezik informacionin e klasifikuar.
Kjo nuk do të thotë se këto rrjete janë të pacenueshme, ndaj përforcimi i masave të sigurisë është detyrë e përhershme e Forcave të Armatosura.
Mbrojtja kibernetike nga NATO, është cilësuar si një nga domeinet kryesore, siç është mbrojtja tokësore dhe ajrore.
Nga njëra anë është dhe vlerësimi i kërcënimeve dhe rreziqeve që Forcat e Armatosura, ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e sigurisë bëjnë periodikisht.
Synimi është forcimi i kapaciteteve operacionale për të përballuar çdo rrezik, përfshirë edhe sulmet kibernetike.
Procesi i modernizimit të Forcave të Armatosura, është procesi më i suksesshëm i 30 viteve të fundit, kaluam në një Forcë të Armatosur që është pjesë e aleancës më të madhe të sigurisë. Sot jemi aq të sigurtë dhe aq të rrezikuar sa është aleanca, kjo tregon se kemi bërë zgjedhjen e duhur.
Forcat e Armatosura kanë treguar në të gjitha angazhimet, profesionalizëm dhe vlerat më të larta dhe ne duhet të jemi krenar për Forcat e Armatosura.
Çdo anatemim për të kryer detyrat dhe misionin që i kanë ngarkuar Kushtetuta dhe ligjet, është e pavend, se Forcat e Armatosura na bëjnë krenar.
Dhe nëse sot themi se jemi të lirë dhe të sigurtë, një nga këto merita i shkon edhe kontributit të Forcave të Armatosura.



