
Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjetin social “X”, bën me dije se PD ka dorëzuar së fundmi në Kuvend një pr/rezolutë për mbështetjen e Kosovës, pas sulmit nga terroristët serbë në Veri.
Pr/rezoluta i kërkon mes të tjerash qeverisë së Shqipërisë që të përmbushë detyrimin kushtetutes të mbrojtjes së të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
Grupi i PD thotë se kryeministri Rama dhe institucionet shqiptare duhet të shkëputen nga roli neutral mbi situatën dhe të jenë në një linjë me Prishtinën.
Po ashtu grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar një mocion me debat në Kuvendin e Shqipërisë, mbi qëndrimin që duhet të mbajë qeveria shqiptare për situatën në Kosovë.
Draftrezoluta thekson se Kuvendi i Shqipërisë ofron mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Kosovën dhe institucionet e saj, në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës, si dhe mbështet të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve, pa dallim, që jetojnë në Republikën e Kosovës. Në vijim të kërkesës së autoriteteve të Kosovës, për një hetim ndërkombëtar ndaj Serbisë, Rezoluta e propozuar nga Grupi Parlamentar i PD i kërkon qeverisë shqiptare që të ndërmarrë çdo iniciativë apo nismë të nevojshme në këtë drejtim, duke përmbushur detyrimin kushtetutes të mbrojtjes së të drejtave kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.



