
Demokratët kanë vendosur në mënyrë unanime të djegin mandatet parlamentare. Në mbledhjen e sotme të grupit pralamentar të PD-së janë marrë 3 vendime: 1) Votimi unanimisht pro djegies së mandateve, pavarësisht diskutimeve në parim. 2) Mandatimi i kryetarit Basha për të thirrur Këshillin Kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar. 3) Ngritja e një grupi pune për teknikalitetet. Pjesë e këtij grupi do të jenë njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet. Janë propozuar për grupin: Gaz Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Çlirim Gjata, Ivi Kaso.
Mbledhja në selinë blu nisi në orën 10:00. Të dielën, lideri demokrat Lulzim Basha njoftoi se do t’i propozojë grupit parlamentar demokrat dhe forumeve më të larta të PD-së, djegien e mandateve të deputetëve demokratë në Kuvendin e Shqipërisë. Basha tha se protesta e 16 shkurtit ishte një referendum qytetar për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.
Diskutimet në mbledhjen e grupit demokrat
Florion Mima- Njerëzit na thonë “ju rrogat i merrni, ne vdesim për bukë”. Unë jam për djegie mandatesh në mënyrë absolute. Nuk jam për asnjë skenar tjetër, kjo është rruga e vetme. Bashkë me qytetarët aty.
Oriola Pampuri- Akti më sublim që mund të bëjmë. Do mbahet mend gjatë dhe mbështes propozimin tuaj për djegie mandatesh.
Gent Strazimiri- Kemi gjithçka në Parlament, por politikë nuk kemi bërë dot. Aty nuk arrihet të bëhet politikë. Kështu që jam pro. Nuk ka moment më të mirë pas përgjigjes që na dha populli më 16 shkurt. Atyre që na dhanë mandatin, u themi ne nuk bëjmë dot politikë në atë Parlament, ja mandate, jua kthejmë juve. Është fillimi i një rruge për demokraci. Për komunistët, parlamenti ka qenë legjitim edhe 46 vjet pa opozitë. Ata janë mësuar me regjim. T’u hapim betejë.
Aldo Bumçi: Djegie mandatesh në mënyrë të qartë dhe të shoqërohet me përshkallëzim në terren. Të jemi me qytetarët, rruga të jetë politika jonë. Nuk futemi në asnjë lloj zgjedhjeje.
Vali Duka: Gjithë njerëzit në rrjetet sociale ishin pro nesh. Kështu që në mënyrë absolute jam me njerëzit, jam për djegien e mandateve. Dhe të vendosim hapat teknikë dhe politikë. Ne të faktorizohemi politikisht sipas vullnetit të njerëzve.



