
Partnerët ndërkombëtar duhet të ndihmojë në heqjen e bllokadës së porteve detare të Ukrainës për t'i lejuar asaj të eksportojë miliona tonë drithë të ngecur në kapanonet e saj, ka thënë zëvendëskryeministrja e vendit për BBC.
"Ne kemi nevojë për ndihmën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të siguruar eksportet tona përmes porteve detare," tha Yuliia Svyrydenko.
Ajo la të kuptohet se mjetet ushtarake mund të jenë të nevojshme për të arritur këtë.
“Ne kemi nevojë për një garanci nga partnerët, sigurisht që është një garanci mbrojtjeje, një garanci sigurie, për të qenë në gjendje të eksportojmë [duke përdorur] këto anije. Dhe për ta bërë atë, jo një herë, por rregullisht. Kjo është më e rëndësishmja”, tha ajo.
Paaftësia e Ukrainës për të eksportuar drithërat e saj ka çuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në mbarë botën dhe ka rritur mundësinë e urisë në vendet që varen nga eksportet e saj.
Javën e kaluar, edhe OKB-ja i kërkoi Rusisë të hapte hyrjen në portet e Detit të Zi të Ukrainës, për të lejuar rifillimin e eksporteve të grurit.
Kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley, sugjeroi se mbajtja e tyre mbyllur po përkeqësonte një krizë globale ushqimore.
Pas kësaj kërkese, Rusia shprehet se nëse hap ato porte, perëndimi do të duhet të rishikojë sanksionet e vendosura ndaj Moskës, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Ukraina, një nga prodhuesit më të mëdhenj të grurit në botë, përdorte portet e saj detare për shumicën e eksporteve të saj. Tani po përdor trenat dhe portet e vogla të lumit Danub.
Programi Botëror i Ushqimit arrin 125 milionë njerëz dhe blen 50% të grurit të tij nga Ukraina.



