Gjatë vitit të lënë pas, nga 132 farmacistë të anëtarësuar në Urdhrin e Farmacistëve të cilët morën licencën në 2022, 74 prej tyre u larguan nga vendi.
Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, për emisionin “Fol” në MCN Tv, deklaroi se ky problem duket sikur impakton vetëm profesionistët, por tha se prek gjithë shoqërinë shqiptare, pasi nuk ka kush të ofrojë shërbim farmaceutik për ata që kanë nevojë.
Që sot ka problem, problemin e kemi aktual që tani. Sot kush po ofron shërbim, po nesër çfarë do të bëhet?
Problemi që farmacistë të tjerë nuk erdhën në emision, është se nuk mbulohet turni. Por edhe ne si pjesë e shoqërisë shqiptare, jemi të trembur.
Problem sot është se më shumë se farmacistë, sot po investojnë si biznes dhe jo si shërbim siç mund të bëhet nga farmacistët.
Me ligj të vitit 2009, sot jemi në realitetin që ka shumë pronarë subjektesh farmacie që nuk janë farmacistë.
Një joprofesionistë dikton rregullat e punës dhe të bllokon zërin, se iu intereson biznesi jo profesioni. Duan të tregohen miqësorë me instancat dhe nuk duan të ekspozohen problematikat.
Në shëndetësi ne jemi komuniteti më i vogël, por jemi komuniteti më i madh privat.
Ne jemi komuniteti i parë që investojmë nga xhepi ynë për të mbajtur në këmbë një sistem të tërë shëndetësor dhe i pari që nuk investon, është shteti.
Një farmacist bën 5 vjet shkollë dhe merr diplomë të Universitetit të Mjekësisë.
Farmacistët nuk ikin vetëm prej rrogës, por kryesisht se nuk ka siguri sociale dhe se ka burokraci shtetërore, ka probleme në arsimim dhe ka probleme në përftimin e një kujdesi shëndetësor sipas standardeve.
Nuk mund të hapësh farmaci pa drejtues teknik. Kemi mbi 300 farmaci që janë vetëm me një farmacist, që punon në kushte sakrifice nga mëngjesi në darkë.
Madje ka pasur raste që kemi gjetur persona që nuk kanë lidhje me farmacistin. Ka farmaci që janë pa farmacistë fare, janë zbuluar por edhe mbuluar, se dihet si funksionon në Shqipëri.
Po shkojmë drejt monopolizimit në tregun farmaceutik. Nëse një personi i lihet në dorë të hapë sa të ketë në dorë farmaci, do jetë individi që ka hapur farmacitë që do diktojë formulimin e ligjit.
Ka dhe mjekë që lëshojnë receta që kanë farmaci.
Ndërkohë Laurela Zani, Presidente e Urdhrit të Farmacistit për rajonin e Tiranës, deklaroi se nuk ka më shumë se 2 pse 3 farmacistë në një farmaci.
Na kanë rënë kambanat sot një vit apo dy vjet përpara. Ndoshta pandemia bëri disa gjëra të mira apo të këqija dhe i bashkoi me farmacistin, por farmacistët si dallëndyshet e reja ikën në zonat më të ngrohta.
Ata që ikin thonë se po shkojmë për ta filluar andej, po shkojmë për një jetë më të mirë, apo se shumicën e familjarëve e kanë andej.
Ne sot kemi ndihmuar dhe ndikuar shumë mirë edhe në pagën e farmacistëve, rroga është në nivele mbi mesataren.
Pagesat janë shumë të mira dhe maksimale, edhe farmacistet e reja, që të gjitha kanë një pagë shumë të mirë.
Nga ana e saj farmacistja Besa Dogjani, anëtare e kryesisë së Urdhrit të Farmacistëve deklaroi se kanë arritur në një pikë që profesioni i tyre po iu dhimbset për shkak të situatës ku ndodhen.
Sipas saj, me kaq sëmundje që ka në qarkullim, nuk ka profesionistë që i afrohen këtij tregu.
Ne po vazhdojmë të rikthehemi të punojmë si dikur nga mëngjesi në darkë. Ne që kemi mbetur shtojmë orët e punës.
Kemi menduar se duke kaluar vitet, duke krijuar një lloj historiku në tregun farmaceutik, të vij një periudhë që të lirohemi, por tani po detyrohemi të rikthehemi dhe njëherë siç kemi qenë dikur.



