Policia e Kosovës ka njoftuar se 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për t’u marrë në pyetje pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi gjatë festimeve të Vidovanit.
Njërit prej tyre i është komunikuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa një tjetër është ndëshkuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër persona janë liruar menjëherë pas marrjes në pyetjet, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në procedurë hetimore.
“Blutë” bëjnë me dije se manifestimet e Vidovdanit në Gazimestan dhe Graçanicë kanë kaluar pa incidente madhore.
Personat e ndaluar janë dëgjuar duke kënduar këngë për Kosovën dhe duke bërtitur “Kosova është zemra e Serbisë” dhe “Kosova është Serbi”.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i ka dënuar ashpër këto ndalime.



