Vendosja e kamerave inteligjente në shkolla ngre shqetësime për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të privatësisë. Kreu i CRCA, Altin Hazizaj, në një intervistë për MCN Live, e cilësoi shqetësimin si legjitim dhe theksoi se çështja kërkon transparencë, veçanërisht për mënyrën se si do të përdoren dhe interpretohen të dhënat që mblidhen nga këto sisteme.
Sipas Hazizajt, nuk bëhet fjalë thjesht për kamera tradicionale sigurie, por për sisteme inteligjente që mund të interpretojnë sjellje dhe ngjarje, çka sipas tij e bën më të rëndësishme diskutimin mbi kufijtë e kontrollit të hapësirës publike dhe private, sidomos kur subjekt i monitorimit janë fëmijët dhe adoleshentët.
Unë besoj se është një shqetësim legjitim jo vetëm nga ne, por edhe nga shumë prindër. Si një organizatë që mbron të drejtat e fëmijëve, vendosja e kamerave përbën njëlloj alarmi për shumë mbrojtës të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Ka të bëjë me atë që konsiderohet e drejtë private dhe ajo publike, deri në çfarë mase ka të drejtë shteti të kontrollojë jetën e njeriut dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijë e adoleshentë. E dyta, bëhet fjalë për kamera inteligjente, pra jo kamera standarde që tregojnë një plan, por sisteme që interpretojnë gjestet e njeriut apo të regjistrojnë se çfarë ata flasin. Shqetësimi ynë kryesor është se nuk ka pasur asnjë konsultim me fëmijët, prindërit në nivel kombëtar dhe, e treta, nuk ka pasur konsultim me organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.
Ai u ndal edhe te mënyra se si është prezantuar publikisht projekti, duke kërkuar që institucionet të japin informacion të plotë mbi vendosjen dhe funksionimin e kamerave. Hazizaj bëri të ditur se CRCA i është drejtuar me një letër të hapur ministrit të Brendshëm, duke kërkuar transparencë mbi këtë çështje.
Në këtë kuadër dhe mënyra se si qeveria e ka shitur këtë informacion, për ne përbën pak çudi, por dua të dal te fakti që kemi dërguar një letër të hapur ministrit të Brendshëm. Është detyrë e tyre të njoftojnë se ku janë vendosur këto kamera. Kemi bindjen që Shqipëria dhe vendosja e këtyre kamerave nuk janë në përputhje me Bashkimin Europian. Kjo është një çështje që kërkon transparencë dhe duhet të sqarohet se çfarë të dhënash mblidhen, si përdoren ato dhe cilat janë garancitë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.



