Në studion e MCN Informacion u diskutua në lidhje me sigurinë ushqimore dhe efektet në shëndet. Ekspertja e sigurisë ushqimore, Ana Vuksani, tha se para së gjithash është shumë e rëndësishme që vetë konsumatori të ndërgjegjësohet. Një konsumator i mirëinformuar, sipas saj, vë përpara përgjegjësisë edhe institucionet që kanë detyrimin për të garantuar sigurinë e ushqimit.
Problemi është se ne nuk gjurmojmë problemin. Pra, pse ka ardhur. Ka mungesë transparence nga autoritetet. Në momentin që unë nuk marr informacionin e duhur, jam më dyshuese për ushqimet që ha. Sa më i ndërgjegjësuar një konsumator, aq më shumë do të vihen në lëvizje instancat.
Edhe mjekja Aurora Dollenberg e vuri theksin te ndërgjegjësimi i konsumatorit. Ajo solli rastin e konsumatorëve gjermanë.
Ndërgjegjësimi i konsumatorit është ndër shtyllat kryesore. I fundit që blen produktet është konsumatori. Në Gjermani nuk ka qytetar që nuk lexon etiketat. Unë çuditesha në fillim kur i shihja si rrinin e lexonin nëpër markete.
Klerida Xhaferaj, mjeke gastrohepatologe, e vuri theksin te domosdoshmëria e diagnostikimit të hershëm, pasi numri i rasteve me kancer që lidhen me ushqimin është rritur.
Duhet kontroll i ushqimit që i serviret distributorit. Por duhet rritur ndërgjegjësimi i popullatës. Ne praktikën klinike ne shohim se problemi i dietës së shëndetshme është më shumë te të rinjtë. Moshat e mesme kanë më shumë tendencën të ushqehen mirë.
Duhet shtuar aktiviteti fizik dhe të ulet obeziteti. Ajo që është e rëndësishme për adoleshentët është konsumimi i duhanit. Vihet re se është shtuar shumë përdorimi edhe te femrat.



